Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit UZVP-ARJ. nr. 86/2022, të 29 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI23/23

Parashtruesit: Vladimir Mladenoviç

Shkarko:

KI23/23, Parashtrues: Vladimir Mladenoviç, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit UZVP-ARJ. nr. 86/2022, të 29 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI23/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 shkurrit  2024, publikuar 6 qershor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil, përkatësisht me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e statusit të personit me aftësi të kufizuara, bazuar në faktin se i njëjti ishte ushtarak dhe invalid, dhe se ky status i ishte njohur atij nga Ministria e Punës-Departamenti për çështje të veteranëve dhe mirëqenie sociale me Aktvendimin [nr. 580-2212] të 7 tetorit 1995. Ministria në fjalë e kishte refuzuar kërkesën tij, dhe si rezultat parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit me Aktgjykimin [U. A. nr. 376/2018] e kishte refuzuar si të pabazuar padinë e tij. Aktgjykimi në fjalë u apelua nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin [UZ. AA. nr.487/2021], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e 12 janarit 20121 të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si përfundim, vendimet e instancave me të ulëta u vërtetuan nga Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [UZVP-ARJ. nr. 86/2022] të 22 gushtit 2022.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimet e instancave më të ulëta, është nxjerrë në shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Referuar pretendimeve të ngritura në kërkesë, Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës, ndërlidhje me çështje fakti dhe ligji. Në këtë kuptim, Gjykata iu referua parimeve të përgjithshme të vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga Gjykata, duke i aplikuar ato në rrethanat e rastit konkret, arrit në përfundimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ngrenë çështje të natyrës së shkallës së katërt. Për me tepër, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të mbështes pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, sepse në rrethanat e rastit konkret nuk ishte përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i ligjit të aplikueshëm nga ana e gjykatave të rregullta mund të ketë qenë qartazi i gabuar, duke rezultuar kësisoj në konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, apo se procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, dhe të nenit 6 të KEDNJ-së, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Vladimir Mladenoviç

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative