Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I-17-0074-A123 të 8 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 38/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI38/20, Parashtrues: Mirko Samardžić, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-17-0074-A123 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 8 tetorit 2019

KI38/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 shtatorit 2021, publikuar më 21 tetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Në thelb, parashtruesi i kërkesës, konteston në Gjykatë aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, duke pretenduar shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke e fokusuar argumentin e tij në paligjshmëri, përkatësisht në vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të dispozitave të ligjit të aplikueshëm.

Parashtruesi e ka ndërtuar rastin e tij në baza të ligjshmërisë, gjegjësisht në vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta; më tej, parashtruesi thjesht numëron dhe përshkruan në përgjithësi përmbajtjen e dispozitës kushtetuese, por nuk tregon saktësisht se si është shkelur kjo dispozitë në rastin e tij

Sa i përket nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i ka shpjeguar parashtruesit të kërkesës se ishte detyrimi i tij ligjor ose ta ngrinte çështjen e diskriminimit në shkallën e parë ose të paraqiste arsye të justifikueshme pse ky pretendim nuk u paraqit në shkallën e parë, duke pasur parasysh se parashtruesi i kërkesës nuk e ka bërë një gjë të tillë, Kolegji i Apelit nuk e ka trajtuar këtë çështje.

Parashtruesi i kërkesës nuk arsyetoi ose nuk ofroi prova se pozita e parashtruesit të kërkesës mund të konsiderohej e ngjashme me pozitën e një personi tjetër që kishte pasur trajtim më të mirë (shih: Fredin kundër Suedisë (nr. 1), paragrafi 60, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 18 shkurtit 1991, shih gjithashtu, rastin e Gjykatës nr. KI166/20, cituar më lartë, paragrafi 49).

I njëjti parim vlen edhe për pretendimet e parashtruesit të kërkesës në Gjykatë, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të Kushtetutës, pa dhënë argumente dhe arsyetuar shkeljen e të njëjtave përmes Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS -së (shih, ndër të tjera, në këtë drejtim, rastin e Gjykatës nr. KI68/17, parashtrues Hysni Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 4 qershorit 2018, paragrafi 32).

Në këtë aspekt, Gjykata gjithashtu thekson se fakti i thjesht që parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS -së ose vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe e instrumenteve të tjera ndërkombëtare nuk është i mjaftueshëm për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të ofrojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë drejtim, rastin e Gjykatës KI136/14, parashtrues Abdullah Bajqinca, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 shkurtit 2015, paragrafi 33).).

Rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Mirko Samardžić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër