Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI 186/19, KI 187/19, KI 200/19 dhe K I208/19

Parashtruesit: Belkize Vula Shala dhe të tjerët

Shkarko:

KI186/19, KI187/19, KI200/19 dhe KI208/19, Parashtrues: Belkize Vula Shala dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019

KI186/19, KI187/19, KI200/19 dhe KI208/19, Aktgjykim i 28 prillit 2021, i publikuar më 1 qershor 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mungesa e seancës dëgjimore, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me privatizimin e Ndërmarrjes N.Sh. “Agimi” në Gjakovë dhe të drejtat respektive të punëtorëve për t‘iu njohur statusi i punëtorëve me të drejta legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e njëzet përqindëshit (20%-it) nga ky privatizim, siç është përcaktuar në nenin 68 (Ankesat lidhur me listën e të punësuarve me të drejta legjitime) të Shtojcës së Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe paragrafin 4 të nenit 10 (Të Drejtat e të Punësuarëve) të Rregullores nr. 2003/13 e të ndryshuar me Rregulloren nr. 2004/45.
Parashtruesit e kërkesës nuk u përfshinë në Listën e Përkohshme të punëtorëve me të drejta legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e njëzet përqindëshit (20%-it) nga privatizimi i NSH ”Agimi”. Të njëjtit në mënyrë individuale parashtruan ankesa pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këto ankesa u refuzuan. Për pasojë, parashtruesit e kërkesës iniciuan padi në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke kontestuar Vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përkitazi me vërtetimin e fakteve si dhe interpretimin e ligjit, duke pretenduar gjithashtu se ishin diskriminuar. Të gjithë parashtruesit e kërkesës kishin kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore para Kolegjit të Specializuar.
Kolegji i Specializuar, kishte refuzuar kërkesën për seancë dëgjimore me arsyetimin se “faktet dhe provat e dorëzuara janë mjaft të qarta”, duke u dhënë të drejtë parashtruesve të kërkesës, me përjashtim të dy prej tyre, dhe duke konstatuar se ishin diskriminuar, prandaj të njëjtit duhet të përfshihen në Listën Përfundimtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Duke vepruar mbi bazën e ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit kundër këtij Aktgjykimi, në gusht të vitit 2019, Kolegji i Apelit, kishte nxjerrë Aktgjykimin e kontestuar, përmes të cilit kishte miratuar ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe e kishte ndryshuar Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar, duke hequr “nga lista e përfituesve të 20% nga procesi i privatizimit të NSH-së “Agimi” Gjakovë” të gjithë parashtruesit e kërkesës. Këtë Aktgjykim, parashtruesit e kërkesës e kontestojnë para Gjykatës, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) e 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përkitazi me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parashtruesit e kërkesës, pretendojnë se Kolegji i Apelit ka ndryshuar Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar, (i) pa një seancë dëgjimore; (ii) pa arsyetim të mjaftueshëm; (iii) në interpretim arbitrar të ligjit; dhe (iv) në shkelje të së drejtës së tyre për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata u fokusua në ato që ndërlidhen me mungesën e një seancë dëgjimore para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe në këtë kontekst, (i) fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën në një seancë dëgjimore siç është e garantuar përmes Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe më pas, (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, duke u bazuar ndër të tjerash, në Aktgjykimin të Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, sqaroi parimet kryesore që kanë të bëjnë me (i) të drejtën për një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së parë; (ii) të drejtën për një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së dytë dhe të tretë; (iii) parimet në bazë të të cilave duhet të përcaktohet nëse një seancë dëgjimore është e domosdoshme; dhe (iv) nëse mungesa e dëgjimit në shkallën e parë mund të korrigjohet përmes një seance dëgjimore në një shkallë më të lartë dhe kriteret përkatëse për të bërë këtë vlerësim. Për më tepër, Gjykata në mënyrë specifike shqyrtoi dhe aplikoi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut bazuar mbi të cilën bëhet vlerësimi nëse mungesa e një kërkese për seancë dëgjimore, mund të konsiderohet si heqje dorë e nënkuptuar e palëve nga një e drejtë e tillë.
Pas aplikimit të këtyre parimeve, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC-I-13-0181-A0008] i 29 gushtit 2019 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një seancë dëgjimore, ndër të tjerash, sepse (i) fakti që parashtruesit e kërkesës nuk kanë kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Apelit, nuk nënkupton heqjen dorë të tyre nga kjo e drejtë dhe as nuk e liron Kolegjin e Apelit nga detyrimi që të trajtojë me nismën e tij domosdoshmërinë e mbajtjes së një seancë dëgjimore; (ii) parashtruesve të kërkesës iu është mohuar e drejta e seancës dëgjimore në të dy nivelet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme; (iii) Kolegji i Apelit, nuk kishte trajtuar “çështje ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”; (iv) Kolegji i Apelit, në fakt, kishte shqyrtuar çështje “fakti dhe ligji”, çështje këto shqyrtimi i të cilave, në parim, kërkon mbajtjen e një seance dëgjimore; dhe (v) Kolegji i Apelit, nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca gojore”.
Për pasojë, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës Supreme, duhet të shpallet i pavlefshëm, dhe të kthehet në rivendosje në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Gjykata gjithashtu vuri theksin në faktin se konstatimi i saj për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet ekskluzivisht me mungesën e një seance dëgjimore, dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Në lidhje me rastin KI208/19 ku parashtrues ishte Ethem Bokshi, Gjykata nuk e shqyrtoj atë kërkesë, për arsye se Gjykata veç se kishte vendosur lidhur me këtë parashtrues në rastin KI145/19.

Parashtruesit:

Belkize Vula Shala dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile