Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019
Nr. të lëndës KI 12/20
Parashtruesit: Hamijete Dinarama-Daija
KI12/20, Parashtrues: Hamijete Dinarama-Daija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-13-0181-A0008, të 29 gushtit 2019
KI12/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 tetorit 2020, publikuar më 6 nëntor 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e paafatshme
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese, kontestoi Aktgjykimin [AC-I-13-0181-A0008] e 29 gushtit 2019, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilin u refuzua si e pabazuar, ankesa e parashtruesës së kërkesës kundër Aktgjykimit [SCEL-11-0075] të Kolegjit të Specializuar.
Kolegji i Specializuar përmes Aktgjykimit [SCEL-11-0075] kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtruesës së kërkesës për mospërfshirjen e saj në Listën Përfundimtare, të punëtorëve me të drejta legjitime për të marrë pjesë nga të ardhurat e 20%-it nga privatizimi i NSH “Agimi”, Gjakovë.
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës, pretendoi se vendimi i kontestuar ishte nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të saj të përcaktuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Parashtruesja e kërkesës në esencës para Gjykatës pretendoi se i) gjykatat e rregullta nuk e kanë arsyetuar vendimin e kontestuar; (ii) mosmbajtjes së seancës publike për shqyrtimin e pretendimeve të tyre dhe (iii) cenimit të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm..
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses nuk ishte parashtruar brenda afatit ligjor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses ishte e papranueshme, sepse ishte parashtruar jashtë afatit të paraparë ligjor.
Hamijete Dinarama-Daija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile