Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0114-A0001, të 22 prillit 2021

Nr. të lëndës KI 162/21

Parashtruesit: Behlul Jashari

Shkarko:

KI162/21, Parashtrues: Behlul Jashari, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme  për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-20-0114-A0001, të 22 prillit 2021.

KI162/21, Aktvendim i 9 marsit 2022, publikuar më 7 prill 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, kompensim, e drejta në gjykim të drejtë, e drejta e punës, e drejta për zgjidhje efektive, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest civil, përkatësisht me kërkesë monetare për kompensimin e 11 (njëmbëdhjetë) pagave të papaguara nga ndërmarrja shoqërore NSh “Rilindja”. Parashtruesi i kërkesës fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë Autoriteteve të likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për kompensimin e pagave të papaguara dhe kërkesa e tij, nga kjo e fundit, ishte refuzuar me arsyetimin se e njëjta,  sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, i 30 marsit 1978 ishte parashkruar. I pakënaqur me këtë vendim parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS), Kolegji i Specializuar i së cilës, me Aktgjykimin [C-IV-17-0368], e refuzoi ankesën e tij dhe konfirmoi vendimin [PRN142-0023] e Autoritetit të likuidimit të AKP-së. Kundër këtij aktgjykimi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar të drejtën e ankesës në Kolegjin e Apelit të DhPGjS-së, i cili pas analizimit të pretendimeve të ngritura, e refuzoi si të pabazuar ankesën dhe konfirmoi aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar, si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese ngrenë pretendime, për shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenet 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), duke arsyetuar se e drejta e tij nuk ishte parashkruar dhe si rezultat duhej kompensuar për periudhën,  maj 1998 – mars 1999, në shumën e përgjithshme prej 1,804.00 euro, nga NSh “Rilindja”.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), fillimisht rikujton se çështja e parashkrimit ngrenë çështje nga neni 31 i Kushtetutës, gjegjësisht të sigurisë juridike të cilat kanë të bëjnë me afatshmërinë, gjegjësisht të së drejtës për të kërkuar mbrojtje të të drejtave në gjykatë, kundër shkeljeve të shkaktuara nga autoritetet publike, personat juridikë, punëdhënësit, etj. Megjithatë, përkitazi me këtë pretendim konkret, Gjykata konstatoi se në rastin e parashtruesit të kërkesës u respektuan të gjitha kriteret kushtetuese nga kolegjet e DhPGJS-së, që e bëjnë procesin e ndjekur pranë tyre të ketë qenë i rregullt dhe në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së. Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkeljen e të drejtave të punës dhe zgjidhje efektive juridike, Gjykata konstatoi se këto pretendime bazuar në praktikën e GjEDNj-së dhe të Gjykatës, duhej deklaruar qartazi të pabazuara sepse në vlerësimin e Gjykatës nuk është e mjaftueshme që parashtruesit e kërkesës, vetëm t’i referohen neneve përkatëse pa shtjelluar tutje se si dhe përse janë shkelur ato nene specifike.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ta, dhe gjithashtu arsyetimet e kolegjeve të DhPGjS-së, konsideroi se pretendimet e parashtruesit për shkelje të procesit të rregullt gjyqësor, në lidhje me parashkrimin i përkisnin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (b) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, duhej shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, si dhe pretendimet për shkeljen e të “drejtës në punë” dhe “zgjidhje efektive juridike”, po ashtu i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, edhe këto pretendime si të tilla duhej shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Behlul Jashari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile