Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I-15-0212-A 0001, të 22 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI 106/21

Parashtruesit: Bujar Shehu dhe të tjerët

Shkarko:

KI106/21, Parashtrues i kërkesës:: Bujar Shehu dhe të tjerët: Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I-15-0212-A 0001, të 22 gushtit 2019

KI106/21, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2022, publikuar më 16 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme, mosshterimi i mjeteve juridike 

Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 2005, parashtruesit e kërkesës kishin blerë disa ngastra të tokës nga pronari i atëhershëm N.Đ,  për blerjen e disa parcelave kadastrale, në mesin e të cilave ishte edhe ngastra kadastrale nr. 1742, ZK Prishtinë në vendin e quajtur “Veternik”, në sipërfaqe prej 0.78.03 ha. Pas lidhjes së kontratës së shitblerjes, parashtruesit e kërkesës janë regjistruar në regjistrat kadastralë si pronarë të parcelave. Ndërkohë, paraqiten disa persona të cilët konsiderojnë se janë bartës të së drejtës pronësore mbi ngastrën nr. 1742, dhe rrjedhimisht ata iniciuan procedura të ndryshme gjyqësore. Procedura e parë gjyqësore në Gjykatën Themelore, në të cilën parashtruesit e kërkesës paraqiten si palë në procedurë, është iniciuar nga disa persona në vitin 2006, dhe e cila është ende në proces të vendimmarrjes. Pasi që parashtruesit e kërkesës nuk e kanë kontestuar këtë procedurë gjyqësore në kërkesë, Gjykata nuk është marrë me të në aktvendim. Procedura e dytë gjyqësore, të cilën parashtruesit e kërkesës e kontestojnë në Gjykatë dhe të cilën Gjykata e ka analizuar në aktvendim, është zhvilluar pranë kolegjeve të Dhomës së Posaçme, në të cilën parashtruesit e kërkesës nuk kanë marrë pjesë si palë në procedurë,  por ajo është zhvilluar ndërmjet personit Z.H. si paditës, dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si e paditur.

Duke shqyrtuar procedurën e kontestuar gjyqësore, Gjykata në shkresat e lëndës konstatoi se në vitin 2011, AKP-ja shpalli tender për shitjen e një numri të parcelave të tokës, të cilat ishin në pronësi të Ndërmarrjes “N.SH. KOSOVA EXPORT”, duke përfshirë edhe parcelën nr. 1742. Në vitin 2014, personi Z.H. parashtroi padi në Kolegjin e Specializuar të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (Kolegji i Specializuar i DHPGJS), në të cilën ka kërkuar pezullimin e tenderit të AKP-së, vendosjen e masës së sigurisë për ngastrat në fjalë  dhe njohjen e të drejtave pronësore, ndër të tjera, mbi parcelën nr. 1742, duke deklaruar se paraardhësi ligjor i saj ishte pronar i parcelave të kontestuara. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së aprovoi kërkesëpadinë e personit Z.H. dhe miratoi vendosjen e masës së sigurisë, ndërsa sa i përket kërkesëpadisë për njohjen e së drejtës pronësore, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së nxori Aktgjykimin C-II-14-0140. -C0001, përmes të cilit paditëses Z.H., ia ka njohur të drejtën pronësore mbi parcelat në fjalë si dhe parcelën nr. 1742. AKP-ja parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, të cilën ai e refuzoi përmes Aktgjykimit AC-I-15-0212-A0001, duke deklaruar se  „prona kontestuese, që nga viti 1957 nuk ka qenë në emër të NSH-së, por në emër të paraardhësit të paditëses dhe në emër të paditëses“.

Pasi që parashtruesit e kërkesës nuk ishin palë në procedurë, ata kërkuan nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, që në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, t’u dorëzohet Aktgjykimi AC-I-15-0212-A0001, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Aktgjykimi i kontestuar iu dorëzua parashtruesve të kërkesës më 20 prill 2021.

Parashtruesit parashtruan kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke konsideruar se gjatë kohëzgjatjes së procedurës në kolegjet e Dhomës së Posaçme atyre u janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 31, 32, 46, 54, 55 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Megjithatë, thelbi i pretendimeve të tyre lidhej me faktin se atyre iu mohua qasja në gjykatë me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit [AC-I-15-0212-A 0001] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, si dhe të Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së C-II-14-0140-C0001.

Gjatë përcaktimit të të gjitha rrethanave të kërkesës në fjalë, Gjykata ndërmori një sërë veprimesh procedurale, ku ndër të tjera përfshihej dërgimi i një numri të madh shkresash institucioneve përkatëse, si dhe përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës. Në këtë mënyrë, më 23 nëntor 2021, Gjykata i dërgoi një shkresë përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës duke kërkuar që përfaqësuesi t’i përgjigjet gjykatës “nëse parashtruesit e kërkesës kanë iniciuar  ndonjë procedurë gjyqësore me qëllim të kontestimit të  Aktgjykimit AC-I-15-0212-A 0001 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 22 gushtit 2019”.

Përfaqësuesi i parashtruesve të kërkesës i dërgoi përgjigje Gjykatës më 30 nëntor 2021, duke thënë se më 23 qershor 2021, parashtruesit e kërkesës i dërguan Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së kërkesë për përsëritje të procedurës si dhe caktimin e masës së sigurisë, duke kërkuar korrigjimin e Aktgjykimit AC-I-15-0212-AOOO1 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Aktgjykimit C-II-14-0140-C0001, të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së. Gjithashtu në përgjigjen e 30 nëntorit 2021, dokumentet e paraqitura përmbanin edhe aktvendimin C-I-21-0471, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 4 nëntorit 2021, në përgjigje të kërkesës së parashtruesve të 30 nëntorit 2021, në të cilën Kolegji i Apelit i DHPGJS-së pezullon procedurën e vendimmarrjes sipas kërkesës së parashtruesve të 23 qershorit 2021, me arsyetimin  se “çështja aktualisht është në pritje në Gjykatën Kushtetuese dhe se gjykimi do të vazhdojë sapo Gjykata Kushtetuese të vendosë për çështjen”.

Gjykata, duke pasur parasysh se procedura lidhur me kërkesën për përsëritje të procedurës gjyqësore si dhe caktimin e masës së sigurisë është në pritje në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, dhe duke marrë parasysh parimin e subsidiaritetit, nxori aktvendimin, përmes të cilit kërkesa e parashtruesve deklarohet e papranueshme, sepse parashtruesit e kërkesës nuk i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, dhe i mundësohet Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të vazhdojë procedurën  e vendimmarrjes sipas kërkesës së parashtruesve të 23 qershorit 2021.

Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme në pajtim me nenin 27.1 të Ligjit dhe rregullin 57 (4) (a) të Rregullores së punës, duke konsideruar se kjo pjesë e kërkesës së parashtruesve në Gjykatë është e parakohshme.

Parashtruesit:

Bujar Shehu dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile