KI33/23, Parashtrues: Flurentin Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë [P. nr. 36/22] dhe [P. nr.76/22], të 7 tetorit 2022
KI33/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 janarit 2024, publikuar më 18 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesës qartazi e pabazuar
Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës paraqiti një kërkesë për herë të dytë në Gjykatë duke shqyrtuar vendime të ndryshme. Nga dokumentet e lëndës rezulton se ai ishte pjesë e një vjedhjeje të pasurisë së luajtshme. Pas një procesi gjyqësor, Prokuroria Themelore – Departamenti i Përgjithshëm në Gjakovë ngriti aktakuzën më 28 janar 2022 ndaj tij dhe një personi tjetër për veprën penale të vjedhjes së rëndë në bashkëpunim. Më pas, Gjykata Themelore shpalli parashtruesin dhe të akuzuarin tjetër fajtor për kryerjen e kësaj vepre penale dhe caktoi dënimin me burg prej 22 muajsh, si dhe një gjobë në shumën e 400 eurove. Gjykata gjithashtu udhëzoi të dëmtuarit për të kërkuar dëmshpërblim në kontest civil për humbjen e pasurisë së tyre.
Parashtruesi i kërkesës paraqet dy baza mbi të cilat ai ndërton pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese të garantuar me nenin 30 dhe 31 të Kushtetutës. Arsyeja e parë për shkeljen e pretenduar është fakti se ai nuk ka pasur mbrojtës në procedurën pranë Gjykatës Themelore, që i përgjigjet “të drejtës së tij për mbrojtje”, ndërsa arsyeja e dytë është e natyrës procedurale dhe ka të bëjë me lëshimin e afatit për paraqitjen e ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, me pretendimin se ka humbur afatin e pretenduar për paraqitjen e ankesës në gjykatën më të lartë me arsyetimin/pretendimin qendror, se “Duke qenë se të akuzuarit i është dorëzuar aktgjykimi në Qendrën Korrektuese të Dubravës, i njëjti është person i paarsimuar dhe ka pasur të pamundur të ofrohen mjete juridike efektive, andaj në këtë rast është urdhëruar që kërkesa kushtetuese të dorëzohet drejtpërdrejt në këtë gjykatë”.
Gjykata thekson se çështja e ngritur në gjykatë lidhur me “të drejtën e mbrojtjes” ka një rëndësi të madhe si koncept i garancisë së një gjykimi të drejtë të parashikuar në nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës, si dhe në nenin 6 të KEDNj-së, dhe rrjedhimisht, kërkoi nga Gjykata Themelore komente shtesë dhe shkresa të lëndës për të përcaktuar bazueshmërinë e atyre pretendimeve të parashtruesit të kërkesës. Gjykata konstaton se gjatë seancës përgatitore parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Themelore ka pranuar veprën penale. Megjithatë, ajo që Gjykata vëren si fakt të rëndësishëm që përcakton rezultatin e kësaj procedure pranë kësaj gjykate në kuptimin procedural është se gjyqtari i Gjykatës Themelore e ka njoftuar parashtruesin e kërkesës për të drejtat e tij në procedurën penale, përfshirë të drejtën për mbrojtje, para procedurës së pranimit të fajit. Për më tepër, Gjykata, bazuar në procesverbalin e seancës së Gjykatës Themelore, konstaton se ai vullnetarisht, a) deklaroi se i kupton plotësisht të drejtat e tij; b) se heq dorë vullnetarisht nga e drejta e mbrojtjes, me deklaratën “se do të mbrohem vet personalisht”; dhe c) se ka pranuar vullnetarisht fajin për veprën penale të kryer. Këtu Gjykata do të ndalet në analizën e mëtutjeshme të procedurës pranë Gjykatës Themelore për arsye se pikërisht kjo pjesë e procedurës që ai deklaroi se është e një rëndësie të madhe dhe e mjaftueshme për analiza të mëtejshme si dhe për marrjen e përgjigjes në lidhje me pretendimin e dytë.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ishte mjaftueshëm i vetëdijshëm për të drejtat e tij të cilat iu paraqitën atij nga gjyqtari i Gjykatës Themelore, si dhe pasojat që rezultuan nga një veprim i tillë, dhe për këtë arsye konsideron se nuk ka bazë për të cilin ajo do të konkludonte se parashtruesi i kërkesës është “person i paarsimuar, dhe për këtë arsye ka pasur të pamundur parashtrimin e mjeteve efikase juridike”, siç pretendon ai në kërkesë. Bazuar në sa më sipër, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shteruar mjetet e rregullta juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
Flurentin Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale