Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 510/2021, të 10 majit 2022

Nr. të lëndës KI139/22

Parashtruesit: Hajredin Canolli

Shkarko:

KI139/22, Parashtrues: Hajredin Canolli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 510/2021, të 10 majit 2022 

KI139/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, i publikuar më 25 korrik 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontesti civil, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil (pronësor) ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Prishtinës, në lidhje me një paluajtshmëri e cila pretendohet të jetë blerë nga parashtruesi i kërkesës në vitet e 70-ta, nga një pronar privat. Paluajtshmeria kontestuese në vitin 1977 ishte shpronësuar nga Komuna e Prishtinës me Vendimin 07-nr. 676-65177, e 7 tetorit 1977, e cila edhe pas viteve 2000 evidentohej në emër të kësaj të fundit. Për këtë arsye parashtruesi i kërkesës në vitin 2007 kishte iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila me Aktgjykimin  e 6 qershorit 2017 refuzoi si të pabazuar padinë e tij, ushtruar kundër Komunës së Prishtinës, me arsyetimin se ai apo paraardhësi i tij kishin lëshuar afatin për kërkimin e anulimit të vendimit për eksproprijimin, dhe se në rastin konkret nuk është përmbushur as kriteri ligjor i njohjes së të drejtës së pronësisë me anë të parashkrimit fitues. Aktgjykimi i lartcekur u apelua nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin e 29 marsit 2021, refuzoi në tërësi ankesën e tij me arsyetimin se përfundimet e gjykatës së shkallës së parë ishin të drejta dhe të bazuara në ligj. Parashtruesi i kërkesës, në afat ligjor, parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila me Aktgjykimin e 10 majit 2022 refuzoi kërkesën  e tij për revizion dhe vërtetoi vendimet e instancave më të ulëta si të drejta dhe me arsyetimin se të njëjtat nuk janë përfshirë me zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe as me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi se gjykatat e rregullta shkelën të drejtat e tij, të garantuara me nenet: 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Dokumenteve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i të Drejtave të Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, me nenin 6 të KEDNj-së dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, nenin 14.1 të PNDCP dhe nenin 17 të DUDNj-së.

Gjykata në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës iu referua praktikës së saj dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), duke përsëritur parimet e përgjithshme në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë dhe vlerësoi se parashtruesi i kërkesë në të vërtetë kishte ngritur pretendime të natyrës së shkallës së katërt, në nivel ligjshmërie dhe jo në nivel kushtetutshmërie, pasi thelbi i ankesës së tij ndërlidhej me faktin se gjykatat e rregullta në mënyrë të gabuar kanë vërtetuar faktet e rastit dhe në mënyrë të gabuar kanë aplikuar ligjin material dhe procedural, kur kanë vendosur në lidhje me kërkesën për vërtetimin e të drejtës së pronësisë. Ndërsa sa i përket pretendimit për shkelje të së drejtës së pronës, Gjykata ia rikujtoi parashtruesit të kërkesë parimet e përgjithshme të përcaktuara nga jurisprudenca e GjEDNj-së, dhe i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret dhe erdhi në përfundim se nuk kemi të bëjmë me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me një të drejtë të pohueshme të fitimit të së drejtës së pronësisë me ligj. Gjykata, përveç kësaj theksoi se ajo vetë nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit, dhe të vërtetojë të drejtën e pronësisë ose të rikthejë në posedim faktik dhe juridik një pronë të caktuar, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të rregullta që ta bëjnë. Për më tepër, Gjykata përjashtimisht mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur parashtruesve të kërkesave iu është “njohur” e drejta e pronësisë së një prone të caktuar me një “vendim gjyqësor përfundimtar” ose me “ligj” dhe kur një e drejtë e fituar nuk ka gjetur zbatim në praktikë ose kur gëzimi paqësor i pronës (pasurisë) është penguar dhe pamundësuar nga individët apo autoritetet përkatëse në mënyrë të jashtëligjshme. Në vlerësimin e pretendimeve të tjera, Gjykata vërejti se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 17 të DUDNj-së është shteruar tashmë sepse i njëjti është adresuar në kuadër të pretendimeve të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së. Ndërsa, sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 22, 53 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës, përveç faktit se i është referuar këtyre neneve, ai nuk kishte treguar dhe shtjelluar tutje, se si dhe pse ka ardhur deri të shkelja e tyre nga autoritetet publike apo gjykatat e rregullta.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata në fund vendosi që: (I) pretendimet përkitazi me shkeljen e të drejtës në “gjykim të drejtë”, i përkisnin kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizoheshin si pretendime të “shkallës së katërt”, të cilat si të tilla në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; (II) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së “drejtës së pronës”, si i tillë u kualifikua në kategorinë e dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes; dhe (III) pretendimet përkitazi me shkeljet e tjera të të drejtave kushtetuese, i takonin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj edhe këto në baza kushtetuese, i  shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u shpall e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hajredin Canolli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile