KI11/23, Parashtrues, “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” SH.A, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E. Rev. nr. 47/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 1 shtatorit 2022
KI11/23, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2023, publikuar më 25 korrik 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor
Kompania N.T.P “Sharr Beton” kishte parashtruar padi kundër parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore Prishtinë, duke kërkuar kompensim të dëmit material në shumën prej 30,000 € me kamatë ligjore të llogaritur nga dita e shkaktimit të dëmit deri në pagesën definitive të detyrimit, i cili ka ndodhur si pasojë e një aksidenti në komunikacion në të cilin ka marrë pjesë edhe automjeti i cili ishte regjistruar te parashtruesi i kërkesës.
Gjatë procedurës së rregullt gjyqësore, gjykatat morën vendimet se personi që kishte drejtuar automjetin që ka qenë i siguruar te parashtruesi i kërkesës është fajtor për shkaktimin e aksidentit të komunikacionit dhe e kanë obliguar që t’ia paguajë dëmin paditësit. Gjykatat e rregullta i morën vendimet e tyre në lidhje me përgjegjësinë sepse i falën më shumë besimin versionit të ekspertizës të cilin e konteston parashtruesi i kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës, i cili ishte i pakënaqur me këtë rezultat të procedurës, parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke konsideruar se gjykatat e rregullta nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre lidhur me arsyet se pse nuk kanë pranuar versionin e dytë të ekspertizës, i cili ishte në favor të tij.
Gjykata ka analizuar në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke zbatuar parimet e GJEDNJ-së, në lidhje me pretendimin për vendime gjyqësore të paarsyetuara, duke konstatuar se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara, duke pasur parasysh se në vendime është dhënë arsyetim i qartë lidhur me të gjitha faktet thelbësore në lidhje me ekspertizat.
Prandaj, Gjykata konkludoi se kërkesa është e papranueshme për shqyrtim në pajtim me rregullin 39 paragrafi 2 të Rregullores së punës.
“SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” SH.A.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile