Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 39/2021, të 3 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 148/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI148/21, Parashtrues: Fatos Dervishaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 39/2021, të 3 qershorit 2021

KI148/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 marsit 2022, publikuar më 21 prill 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kontest pune

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mosarsyetimin e vendimit nga ana e Gjykatës Supreme. Pra, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi kundër Kompanisë Wurth Kosova për shkak të largimit të tij nga puna, me ç’rast kërkonte që të kthehet në vendin e punës dhe t’i kompensohen të ardhurat. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar padinë e tij. Ankesën respektive të parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e kishe aprovuar ku kishte prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte rikthyer në rigjykim. Në rivendosje, Gjykata Themelore prapë kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Ai përsëri përmes ankesës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar si të pabazuar. Përfundimisht, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar revizionin e paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendonte se Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit të saj ia ka shkelur të drejtat e garantuara me nenet 3, 31, 32, 49, 54 të Kushtetutës dhe nenet 6 dhe 45 të KEDNJ-së. Gjykata vëren se në esencë parashtruesi i kërkesës, kërkesën e tij e kishte argumentuar dhe ndërtuar në drejtim të së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor. Gjykata shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës.

Nga vlerësimi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideroi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes padisë, ankesës dhe revizionit, në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke vlerësuar se gjykatat kanë pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse që mbështesin konkluzionin e tyre përkitazi me vendimmarrjen në çështjen e parashtruesit të kërkesës. Gjykata rikujtoi se Gjykata Supreme, duke vlerësuar pretendimet e ngritura në revizion nga parashtruesi i kërkesës dhe gjetjet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore, arriti në konkluzionin se këto të fundit, pasi administruan të gjitha provat relevante, përfshirë këtu kontratën e punës, vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës, vërtetuan jashtë çdo mëdyshje se procedurat e ndjekura lidhur me largimin nga puna të parashtruesit të kërkesës ishin në harmoni me dispozitat ligjore të Ligjit të Punës.

Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta kanë konstatuar që punëdhënësi, në këtë rast Wurth Kosova, me rastin e largimit nga puna të parashtruesit të kërkesës ka vepruar në harmoni me Ligjin e Punës dhe kontratën e punës, ku edhe pse parashtruesi i kërkesës ishte njoftuar për largimin e tij nga puna nëpërmjet Vendimit të 18 janarit 2012, atij nuk i ishte shkëputur kontrata me efekt të menjëhershëm, mirëpo ai ka vazhduar të paguhet deri në datën e skadimit të kontratës më 10 prill 2012. Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata dëshiron të rikujtojë gjithashtu se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së,  i obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin pretendim. Gjykata konsideroi se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë respektuar të gjitha kriteret për gjykim të drejtë nga ana e gjykatave të rregullta. Parashtruesi i kërkesës edhe më tej mund të mos jetë i kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes së tij, megjithatë, pakënaqësia e tij vetvetiu nuk mund të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë.

Andaj, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, si të tilla, i takojnë kategorisë së tretë (iii) “pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës pretendonte se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 3, 32, 49 dhe 54  të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet respektive, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Prandaj, Gjykata konstatoi se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 3, 32, 49 dhe 54, të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyeshme”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citon nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si dhe pse ishin shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Fatos Dervishaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave