KI197/22, Parashtrues: Afërdita Gjonbalaj Stublla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 340/2022, të 13 shtatorit 2022
KI197/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 24 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil, përkatësisht kontest nga marrëdhënia e punës në mes të parashtrueses së kërkesës dhe Bankës për Biznes, dega në Prishtinë. Parashtruesja e kërkesës me këtë të fundit kishte lidhur kontratën e punës [nr. 1190] më 3 korrik 2013 për pozitën: Drejtoreshë e degës në Prishtinë, të cilën e kishte ushtruar deri më 30 shtator 2013, kur edhe u njoftua për skadimin e kontratës dhe mos vazhdimin e saj për shkak të rrethanave të krijuara në bankë. Me këtë rast, parashtruesja e kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht aprovoi kërkesën e saj dhe detyroi Bankën për Biznes që ta kthente të njëjtën në vendin e mëparshëm të punës. Kundër këtij vendimi, Banka për Biznes kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila aprovoi ankesën, dhe prishi vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rivendosje pranë kësaj të fundit me rekomandimin që të evitoheshin mangësitë edhe të metat në vendim dhe të shikohej lejueshmëria e padisë. Në procedurën e rivendosjes, Gjykata Themelore në Prishtinë e hedhe poshtë si të parakohshme padinë e parashtrueses së kërkesë. Vendimi i shkallës së parë më pas u vërtetua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Gjykata në këtë rast vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës ndërlidhej kryesisht me parregullsinë e procesit, respektivisht me të drejtën për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në shqyrtimin e pretendimeve, Gjykata aplikoi parimet e përgjithshme të përcaktuara nëpërmjet praktikes gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vërejti se argumenti kryesor i ngritur nga ana e parashtrueses së kërkesës ishte se gjykatat e rregullta në mënyrë të gabuar vërtetuan faktet kur konstatuan se padia e saj ishte e parakohshme, duke shtuar se sipas nenit 144 të LPK-së padia e saj është dashur të shqyrtohej meritorisht dhe jo të hidhej poshtë si e parakohshme. Gjykata në këtë rast vlerësoi se parashtruesja e kërkesës nuk arriti të ngrejë nivelin e argumentimit të shkeljeve të pretenduara në nivel kushtetues, sepse e njëjta aludonte se në vend të një norme ligjore do duhej të aplikohej një tjetër. Gjykatat e rregullta ia kishin bërë të qartë parashtrueses së kërkesës se për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në gjykatë, padija duhej t’i përmbushte kriteret procedurale, siç ishte shterimi i mjeteve të brendshme juridike, në mënyrë që e njëjta të bëhej e realizueshme në kuptim të shqyrtimit të meritave të saj. Përveç pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës pretendoi edhe shkelje të neneve 24, 32, 49 dhe 54 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata ritheksoi se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të Konventës, ose ndërlidhja e tyre me ndonjë të drejtë tjetër të Kushtetutës, nuk ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim për shkelje të atyre neneve specifike.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata bazuar në shtjellimet dhe analizat e bëra, konkludoi se: (I) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, i takonin kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizoheshin si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla, në baza kushtetuese, i shpalli qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me shkeljet tjera të të drejtave kushtetuese, i kualifikoi në kategorinë e tretë (iii), nënkategorinë a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj edhe këto, në baza kushtetuese, i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u shpall e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Afërdita Gjonbalaj Stublla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile