Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 285/2018, të 1 tetorit 2018

Nr. të lëndës KI 38/19

Shkarko:
Përmbledhje

Rasti nr. K38/19, Parashtrues: Avdi Mujaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 285/2018, të 1 tetorit 2018

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, përbërja e trupit gjykues, e drejta për gjykim të drejtë, paanshmëria e gjykatës

Parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e blerësit, kishte lidhur një Kontratë të shitblerjes me H. D., me objekt të Kontratës shitblerja e pronës së paluajtshme që përbëhej nga një shtëpi dhe disa objekte të tjera përcjellëse të ndërtuara në ngastrën kadastrale [nr. 5393/18], me sipërfaqe prej 480 m².

Parashtruesit të kërkesës fillimisht i ishte pranuar në tërësi kërkesëpadia  përmes Aktgjykimit [C. nr. 56/2008] të 12 janarit 2010, të Gjykatës Komunale në Pejë, duke vendosur që ai është pronar i ngastrës kontestuese kadastrale me sipërfaqe totale prej 480 m² dhe se të gjithë trashëgimtarët e rendit të parë të H. D-së, gjithsej tetë, duhet t’ia pranojnë parashtruesit të kërkesës të drejtën e pronësisë si dhe të lejojnë që prona në fjalë të regjistrohet në Zyrën Kadastrale Komunale në Pejë.

Në vijim, Gjykata e Qarkut përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 101/10] të 16 marsit 2011: (i) pjesërisht e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit, duke vërtetuar se parashtruesi në bazë të parashkrimit fitues është pronar i ngastrës kadastrale [nr. 5393/18], në sipërfaqe prej 455 m2 [e jo 480 m²]; dhe (ii) detyroi palët e paditura që parashtruesit t’ia pranojnë të drejtën e pronësisë si dhe të lejojnë regjistrimin e pronës në Zyrën Kadastrale Komunale në Pejë. Në përbërje të Kolegjit shqyrtues prej 3 anëtarëve të Gjykatës së Qarkut, ishte edhe gjyqtari I. K.

Ndaj Aktgjykimit[Ac. nr. 101/10] të Gjykatës së Qarkut, parashtrojnë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë Prokurori i Shtetit dhe kërkesën për revizion të cilën e dorëzoi parashtruesi i kërkesës.

Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev-Mlc. nr. 253/2011] të 27 gushtit 2013, vendosi që t’i pranojë si të bazuara, që të dyja, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së Prokurorit të Shtetit dhe kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës, ku urdhëroi prishjen e Aktgjykimit [Ac. nr. 101/10] të 16 marsit 2011, të Gjykatës së Qarkut dhe kthimin e lëndës në rivendosje tek Gjykata e Qarkut [e cila, më vonë, me ndryshime ligjore do të binte në kompetencë lëndore të Gjykatës së Apelit].

Në procesin e rivendosjes së rastit, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [Ac. nr. 2749/13] e 10 prillit 2017, sërish aprovoi në mënyrë të pjesshme ankesën e B. D.  ku vërtetoi se parashtruesi i kërkesës është pronar i pjesës së ngastrës kadastrale prej 455 m2 e jo 480 m2 siç kishte vendosur fillimisht Gjykata Komunale.

Më 1 tetor 2018, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 285/2018] e refuzoi kërkesën e parashtruesit për revizion si të “pathemeltë”. Pjesë e Kolegjit shqyrtues në këtë rast, në cilësinë e kryesuesit, ishte edhe gjyqtari I. K.

Lidhur me kërkesën KI38/19, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës i referohet pjesëmarrjes të së njëjtit gjyqtar [I. K.] në dy instanca gjyqësore me ç ‘rast i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se kjo kërkesë i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe shqyrtoi meritat e saj.

Në shqyrtimin e meritave, Gjykata, ndër të tjera, elaboroi (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me kriteret për vlerësimin e paanësisë së një gjykate; (ii) konceptin e paanësisë subjektive dhe objektive të gjykatës; (iii) praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në aspekt të vlerësimit të paanshmërisë së gjykatës, përkatësisht konceptin e “dyshimeve legjitime” dhe faktit që të njëjtat duhet të jenë “objektivisht të justifikueshme” në mënyrë që të konstatohet paanësia e një gjykate; (iv) praktikën përkatëse gjyqësore përkitazi pjesëmarrjen e një gjyqtari në faza të ndryshme të të njëjtës çështje; dhe në fund, konstatoi se (v) Aktgjykimi [Rev. nr. 285/2018] i 1 tetorit 2018, i Gjykatës Supreme, ishte nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sepse është nxjerrë nga përbërja e Kolegjit, në të cilin në kundërshtim me dispozitat përkatëse të LPK-së dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së e të Gjykatës, kishte marrë pjesë gjyqtari i cili edhe në faza të mëhershme të të njëjtës çështje, kishte marrë pjesë si anëtar i kolegjit në Gjykatën e Qarkut në Pejë kur është vendosur për kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e edhe si kryetar i Kolegjit kur është vendosur për kërkesën e tij për revizion në Gjykatën Supreme. Në rrethana të tilla, Gjykata konstatoi se “dyshimet legjitime” për paanshmërinë e gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, janë “objektivisht të justifikueshme”.

Gjykata Kushtetuese, në rrethanat e rastit konkret, ka trajtuar ekskluzivisht dhe vetëm pretendimin për paanësi të gjykatës për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtarit I. K. në të njëjtin proces gjyqësor në dy instanca gjyqësore. Ky Aktgjykim i Gjykatës rrjedhimisht nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat përfundimtare të vendosjes së këtij rasti, pasi që i njëjti të kthehet për rigjykim në Gjykatën Supreme.

Parashtruesit:

Avdi Mujaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile