Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev.nr.157/2018, të 4 korrikut 2018

Nr. të lëndës KI 194/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI194/18, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev.nr.157/2018, të 4 korrikut 2018

KI194/18, Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi

Aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2020, publikuar më 10 mars 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, servitut

Ky rast kishte buruar si pasojë e një kontesti fqinjësor rreth të drejtës së servitutit, respektivisht kalimit në një rrugë në një fshat në Komunën e Pejës. Parashtruesit e kërkesës, dy vëllezër, e kishin blerë një pronë të paluajtshme të cilën kishin arritur ta regjistronin si pronë të tyre të përbashkët në regjistrin kadastral të Komunës së Pejës, ashtu që secili prej tyre ishte pronar i ½ e të gjithë pronës së paluajtshme.

Fakti që parashtruesit e kërkesës ishin pronar legjitim të pronës në fjalë nuk ishte asnjëherë kontestuese në procedurat para gjykatave të rregullta. Kontestuese, përgjatë gjithë procesit gjyqësor ishte fakti se a kanë të drejtë servituti fqinjët në rrugën e cila kalonte nëpër dhe përkrah pronës së tyre të përbashkët apo jo.

Pas zhvillimit të procedurave gjyqësore për të trajtuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës të paraqitura në padinë e tyre “për mohim të servitutit dhe dorëzim të patundshmërisë”; pas dëgjimit të përgjigjeve në padi të paraqitura nga palët e interesuara; pas ekspertizave të gjeodezisë dhe dëgjimit të dëshmitareve fqinjë dhe, pas zhvillimit të gjithsej 14 seancave shqyrtuese, Gjykata Themelore kishte vendosur që ta refuzojë kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës në tërësi duke vendosur, në thelb që, tashmë është krijuar servituti për kalim në këtë rrugë qysh në vitet 1973-74 dhe që nga ajo kohë të gjithë fqinjët e kanë shfrytëzuar rrugën pa asnjë pengesë dhe se për të njejtën nuk është ankuar ish-pronari asnjëherë. Më pas, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme e kishin konfirmuar vendimmarrjen e Gjykatës Themelore duke vendosur përfundimisht për refuzimin e padisë së parashtruesve të kërkesës.

Para Gjykatës Kushtetuese është kontestuar vendimmarrja e Gjykatës Supreme, në lidhje me dy vendimet e tjera të instancave më të ulëta gjyqësore të cilat e kishin refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ për sa i takon: gjykimit të drejtë dhe të paanshëm; mbrojtjes së pronës; dhe, mbrojtjes gjyqësore të të drejtave.

Gjykata, si përfundim, vendosi që: (i) pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ përkitazi me arsyetim të vendimeve gjyqësore, mos-caktim të super ekspertizës dhe aprovimi i kërkesës për disa dëshmitarë shtesë janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punës; (ii) pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, përkitazi me të drejtën e pronës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punës; dhe (iii) pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, për sa i përket çështjes së mbrojtjes gjyqësore të të drejtave dhe zgjidhjes efektive nuk janë të qartësuara në mënyrë adekuate dhe si të tilla duhet të refuzohen në bazë të nenit 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim