Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Pml.nr.607/2023, të 30 nëntorit 2023

Nr. të lëndës KI08/24

Parashtruesit: Gëzim Demolli

Shkarko:

KI08/24,Parashtrues: Gëzim Demolli, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Pml.nr.607/2023, të 30 nëntorit 2023

KI08/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar 30 korrik 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një rast penal, ku parashtruesi i kërkesës fillimisht ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer tri vepra penale, 1. “lëndim i lehtë trupor” nga nënparagrafi 3.1 i paragrafit 3 të nenit 185, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), 2. “kanosje” nga paragrafi 4 i nenit 181 i KPRK-së, dhe 3. “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 366 të KPRK-së. Për veprat penale në fjalë i njëjti me Aktgjykimin e 3 prillit 2023, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore dhe dënuar me burgim unik në kohëzgjatje, prej gjashtëmbëdhjetë (16) muajve, si dhe me gjobë në shumën prej katërqind (400) euro. I pakënaqur me vendimin, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin e 18 tetorit 2023, refuzoi ankesën e tij dhe vërtetoi Aktgjykimin e 3 prillit 2023, të gjykatës së shkallës së parë. Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit u kontestua në Gjykatën Supreme, me mjet të jashtëzakonshëm juridikë, e cila përfundimisht e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vërtetoi aktgjykimet e instancave më të ulëta.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimet e instancave më të ulëta, janë marrë në shkelje të të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës kishte ngritur dy pretendime kryesore, njëra ndërlidhej me (i) mos përfshirjen e emrave të dy gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë dhe të prokurorit themelor në pjesën hyrëse të Aktgjykimit, dhe tjetra (ii) me mos vërtetimin e plotë të gjendjes faktike përkitazi me vërtetimin e kryerjes së veprës penale të kanosjes.

Përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, Gjykata, pasi shtjelloi parimet e përgjithshme të vendosura nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Gjykatës, duke i aplikuar të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, vlerësoi se konkluzionet e gjykatave të rregullta ishin mbështetur në prova të ndryshme, përfshirë sekuestrimin e provave materiale në vendin e ngjarjes, deklaratat e dëshmitareve, dëgjimin e mbrojtjes dhe dëgjimin e parashtruesit të kërkesë. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Gjykata konsideroi se Gjykatë e Apelit dhe ajo Supreme në Aktgjykimet e tyre kishin arsyetuar se mos përfshirja e emrave në Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk përbente bazë për anulimin e Aktgjykimeve të kundërshtuara dhe se për më tepër emrat figuronin në procesverbalet e seancave shqyrtuese të mbajtura nga gjykata e shkallës së parë dhe se në veprimet e parashtruesit të kërkesës, ishin manifestuar të gjitha elementet e veprës penale të kanosjes përfshirë dashjen për frikësimin e të dëmtuarës. Gjykata duke pasur parasysh shtjellimet e përmendura në Aktvendim, konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të mbështes pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë në nivel kushtetutshmërie, dhe se në rrethanat e rastit konkret nuk ishte përmbushur kriteri përjashtues, ku interpretimi i ligjit penal dhe procedural nga ana e gjykatave të rregullta mund të ishte “qartazi i gabuar”, duke rezultuar kësisoj në “konkluzione arbitrare”, apo se si procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, të zhvilluara pranë gjykatave të rregullta mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me dispozitat e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si të tilla kualifikohen në kategorinë e parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si të natyrës së “shkallës së katërt”, prandaj të njëjtat, në baza kushtetuese, të shpallen qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u shpallë e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Gëzim Demolli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale