Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 469/2021, të 29 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI20/22

Parashtruesit: Sadullah Dërmaku

Shkarko:

KI20/22, Parashtrues Sadullah Dërmaku; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 469/2021, të 29 dhjetorit 2021.

KI20/22, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2023, publikuar më 12 tetor 2023

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktakuzën [PP.I. nr. 224/2017] e ngritur nga Prokuroria  Themelore në Gjilan kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale të marrjes së ryshfetit nga neni 428, paragrafi 1 i Kodit Penal. Gjykata po ashtu rikujton se procedura e ndjekur penale ndaj parashtruesit të kërkesës, e zhvilluar përgjatë periudhës 2018-2021, kishte rezultuar në kthimin katër herë të çështjes në rigjykim në Gjykatën Themelore. Thënë këtë, Gjykata vë në pah se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 215/17] të 13 prillit 2018, parashtruesin e kërkesës e shpalli fajtor për kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit nga neni 428, paragrafi 1 i Kodit Penal dhe dënoi atë me burg në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) muajve dhe dënim me gjobë në vlerë prej 300 (treqind) euro. Ky Aktgjykim ishte anuluar dhe kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 293/18] të 13 gushtit 2018.  Gjykata vëren se në procedurën e parë të rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 171/18], parashtruesin e kërkesës e shpalli fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit sipas nenit 33 dhe 428 të KPK-së dhe rrjedhimisht atij iu shqiptua dënimi me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 3 (tre) muaj dhe dënimi me gjobë në vlerë prej 300 (treqind) euro, si dhe dënimi plotësues – ndalim i ushtrimit të funksionit në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite pas mbajtjes së burgut, si dhe detyroi të paguajë shumën prej pesëdhjetë euro për kompensimin e viktimave të krimit. Ky Aktgjykim ishte anuluar dhe kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 142/2019] të 25 prillit 2019. Në vijim të këtij Aktgjykimi të Gjykatës së Apelit dhe tri vendimeve të saja [PAKR. nr. 634/2019] të 17 janarit 2020, [PAKR. nr. 340/2020] të 15 tetorit 2020 dhe [PAKR. nr. 216/21]  të 29 tetorit 2021, respektivisht çështja ishte kthyer edhe tri herë në rigjykim në Gjykatën Themelore. Në vendimet vijuese të Gjykatës Themelore, përfshirë edhe atë të fundit [PKR. nr. 133/2020] të 28 prillit 2021, kjo gjykatë në vazhdimësi parashtruesin e kërkesës e kishte (i) shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit nga neni 428, paragrafi 1 i KPK-së dhe dënuar me burg në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) muajve dhe dënim me gjobë në vlerë prej 300 (treqind) euro; (ii) shqiptuar atij dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite pas mbajtjes së burgut; (iii) detyruar që të paguajë paushallin gjyqësor në vlerë prej nga pesëdhjetë euro; si dhe (iv) detyruar që të paguajë shumën prej pesëdhjetë (50) euro për kompensimin e viktimave të krimit. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 216/21] të 29 tetorit 2021 dhe nga Gjykata Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2021] të 29 dhjetorit 2021, kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë e refuzoi si të pabazuar.

Thënë këtë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës i konteston aktgjykimet e gjykatave të rregullta, specifikisht Aktgjykimin [Pml. nr. 46/2021] e 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 216/21] e 29 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe me Aktgjykimin [PKR. nr. 133/2020] e 28 prillit 2021 të Gjykatës Themelore, duke pretenduar se të njëjtat janë në kundërshtim me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pretendon (i) shkeljen e parimit reformatio in peius, përmes vendimeve të kontestuara nga ana e tij, përkatësisht nga Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 171/18] të 31 janarit 2019 dhe nga Gjykata Themelore në procedurën e  rigjykimit përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 21-2020] të 26 qershorit 2020 e cila sipas tij nuk ka marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës së Apelit të dhëna përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 142/2019] të 25 prillit 2019 dhe rrjedhimisht me vendimin që ka nxjerrë Gjykata Themelore ka përkeqësuar pozitën e të akuzuarit; (ii) administrimin e provave në kundërshtim me ligjin; si dhe  (iii) shkeljen e parimit për vendim të arsyetuar gjyqësor përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.

Përkitazi me pretendimin për shkelje të parimit “reformatio in peius”, Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se ri-cilësimi i veprës penale të marrjes së ryshfetit në ndihmë sipas nenit 428 në lidhje me nenin 33 të Kodit Penal në procedurën e rigjykimit përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 171/18] të 31 janarit 2019 të Gjykatës Themelore përbën shkelje të parimit “reformatio in peius”. Gjykata vë në dukje se rasti i parashtruesit të kërkesës ka kaluar nëpër një sërë procedurash të gjykimit dhe rigjykimit, megjithatë  vendimi i fundit dhe përfundimtar në rastin e tij është Aktgjykimi [PKR. nr. 133/2020] i 28 prillit 2021 iGjykatës Themelore i vërtetuar edhe përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 216/2021] të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Pml. nr. 469/2021] të Gjykatës Supreme. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se përmes vendimeve gjyqësore të nxjerra në procedurën e katërt dhe përfundimtare të rigjykimit, respektivisht përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 133/2020] të Gjykatës Themelore, i vërtetuar përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 216/21] të 29 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Pml. nr. 46/2021] të 29 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme, nuk i është ri-kualifikuar vepra penale siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.

Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me cenimin e parimit të reformatio in peius janë qartazi të pabazuara sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë e (ii) pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 349 të Rregullores së punës.

Përkitazi me pretendimin për administrimin e provave të papranueshme, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta janë marrë duke u bazuar në prova të papranueshme me arsyetimin se në zbatimin e Urdhrit [UGJK. nr. 105/2017] të gjyqtarit të procedurës paraprake në rastin e tij kanë marrë pjesë edhe dy zyrtarë policorë të cilët nuk kanë qenë të autorizuar sipas Urdhrit [UGJK. nr. 105/2017] që të përfshihen në rastin e tij. Në këtë aspekt, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta si rezultat i administrimit të provave të nxjerra nga zbatimi i Urdhrit [UGJK. nr. 105/2017] të njëjtat i kishin vlerësuar si të pranueshme, duke konstatuar se zbatimi i Urdhrit [UGJK. nr. 105/2017] të gjyqtarit të procedurës paraprake në rastin konkret ka qenë i ligjshëm, dhe se pjesëmarrja dy e më tepër zyrtarëve policorë (J.S., dhe Sh. S.,) për arsye operative nuk e ka bërë procesin kundërligjore, duke u bazuar në nenin 92 [Urdhrat për masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimi], pikën 1.5 të KPPK-së, i cili përcakton se urdhri për ndonjë masë të caktuar nga ky kapitull përmban personin e autorizuar për zbatimin e masës dhe zyrtarin përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të tillë. Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kishin marrë parasysh një sërë kombinim elementesh të provave para se të jepnin vendimet e tyre, kështu që ato janë mbështetur në prova të tjera përveç provave të nxjerra nga zbatimi i Urdhrit [UGJK. nr. 105/2017] të 18 tetorit 2017, por që vërtetonin arsyet e bazuara për të arritur në përfundimin se  parashtruesi i kërkesës ishte fajtor. Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur këtë pretendim të tij dhe rrjedhimisht ky pretendim refuzohet si qartazi i pabazuar.

Për sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me arsyetimin e Gjykatës Supreme. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës thekson se arsyetimi/vlerësimi i Gjykatës Supreme si “gabim teknik” i Gjykatës Themelore, ku përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 171/18] të 31 janarit 2019, e kishte ri-cilësuar veprën penale të marrjes së ryshfetit në ndihmë sipas nenit 428 dhe 33 të Kodit Penal, rezulton në arsyetim arbitrar dhe rrjedhimisht përbën shkelje të nenit 371 të Kodit të Procedurës Penale. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se vlerësimi i Gjykatës Supreme si “gabim teknik” me rastin e ri-cilësimit të veprës penale përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 171/18] të 31 janarit 2019 i prishur përmes Aktvendimit [PAKR. nr. 142/2019] të 25 prillit 2019, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar dhe nuk duket se ky vlerësim ishte vendimtar, apo përcaktues për epilogun e rastit të tij.

Si përfundim, pas shqyrtimit të secilit pretendim veç e veç të parashtruesit të kërkesës, të ngritur në kërkesën e tij para Gjykatës, kjo e fundit konsideron se i njëjti nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që dëshmojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe kërkesa e tij duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me rregullin 349 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sadullah Dërmaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale