Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 344/2019, të 2 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI167/20 dhe KI170/20

Parashtruesit: Tasim Zhuniqi dhe Nasip Zhuniqi

Shkarko:

KI167/20 dhe KI170/20, Parashtrues: Tasim Zhuniqi dhe Nasip Zhuniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 344/2019, të 2 qershorit 2020 

KI167/20 dhe KI170/20, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 korrikut 2021, publikuar më 17 gusht 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, ricilësim i veprës penale, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar, mosshterim i mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës rezulton se ndaj parashtruesve të kërkesës, më  27 mars 2017 Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte ngritur Aktakuzën [PP/I. nr. n38/2016] nën dyshimin e bazuar se: (i) ata më 26 mars 2016 në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të “vrasjes” nga neni 178 në lidhje me nenin 31 të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës  (në tekstin e mëtejmë: KPRK) duke privuar nga jeta të ndjerin N. K. (ii) kishin kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së; dhe në vijim; dhe se (iii) parashtruesi i kërkesës në rastin KI170/20 gjithashtu kishte kryer veprat penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së. Më 3 maj 2017, Prokuroria Themelore, në Gjykatën Themelore kishte dorëzuar Aktakuzën e ndryshuar të bazuar në Udhëzimin e detyrueshëm të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit [NA. nr. 140/2017] të 19 prillit 2017, përmes të cilit ishte kërkuar ricilësimi i veprës penale të “vrasjes” në bashkëkryerje në veprën penale e “vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafët 1.4 dhe 1.5 në lidhje me nenin 31 të KPRK-së. Çështja e ricilësimit të veprës penale ishte ngritur si në kuadër të procedurës për hedhjen poshtë të aktakuzës ashtu edhe në procedurën e shqyrtimit gjyqësor. Në procedurë të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kishin konstatuar se ky pretendim ishte shqyrtuar në procedurën e shqyrtimit të dytë, respektivisht procedurën e hedhjes së Aktakuzës përmes aktvendimeve PKR. nr. 36/2017, të 5 qershorit 2017 të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimit PN. nr. 520/2017, të 6 korrikut 2017 të Gjykatës së Apelit. Megjithatë, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj të kontestuar kishte adresuar dhe elaboruar të njëjtin pretendim të ngritur në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë dhe për pasojë, kishte ofruar konstatim përkitazi me bazueshmërinë e pretendimit të tyre për ricëilësim të veprës penale duke theksuar se “ndryshimi i aktakuzës me ricilësim të veprës penale nga vrasje në bashkëkryerje në vrasje të rëndë në bashkëkryerje nuk është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe se me asnjë dispozitë ligjore nuk i ndalohet Prokurorit që ta ndryshojë akuzën para shqyrtimit fillestar.”

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës; (i) kontestojnë çështjen e ricilësimit të veprës penale; përderisa parashtruesi i kërkesës në rastin KI167/20 pretendoi edhe: (ii) mungesë të paanshmërisë nga ana e gjykatave të rregullta; (iii)  dhe se gjykatat e rregullta nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e dhëna përmes Aktgjykimit PAKR. nr. 256/2018, të 29 qershorit 2018 të Gjykatës së Apelit.  Parashtruesit e kërkesës pretendimet e lartcekura i ngritin në kuptim të shkeljes së nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], nenit 102 dhe nenit 109 të Kushtetutës. 

Fillimisht, sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 102 dhe 109 të Kushtetutës, Gjykata vuri në dukje qëndrimin e saj të përgjithshëm se nenet e Kushtetutës të cilat nuk përcaktojnë, drejtpërdrejtë, të drejtat dhe liritë themelore nuk kanë efekt të pavarur. Efekti i tyre vlen vetëm për “gëzimin e të drejtave dhe lirive” që garantohen me dispozitat e Kapitullit II [Të drejtat dhe Liritë Themelore] dhe III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës.  Në kuptim të kësaj, Gjykata theksoi se, në thelb, pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me nenet 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, ndërlidhen me shkeljen e pretenduar të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës.

Së pari, përkitazi me ricilësimin e veprës penale, Gjykata konsideroi se kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë të papranueshme. Në këtë kuptim, Gjykata vuri në pah se parashtruesve të kërkesës iu është mundësuar zhvillimi i dy procedurave penale, përkatësisht procedurës së hedhjes së aktakuzës dhe procedurës së shqyrtimit gjyqësor bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se atyre iu është dhënë mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë të rëndësishme për rastin e tyre; se atyre iu është dhënë mundësia që të kontestojnë në mënyrë efektive argumentet dhe dëshmitë e paraqitura nga pala kundërshtare; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shtruar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta . Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 47 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Së dyti, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në rastin KI167/20 përkitazi me mungesë të paanshmërinë së gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi se këtë pretendim, parashtruesi nuk e kishte ngritur para gjykatave të rregullt, dhe rrjedhimisht e shpalli si të papranueshme për shkak të mosshterimit substancial të mjeteve juridike në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në fund, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në rastin KI167/20 për mos marrjen parasysh të vërejtjeve të dhëna përmes Aktgjykimit PAKR. nr. 256/2018, të 29 qershorit 2018 të Gjykatës së Apelit nga gjykatat e rregullta gjatë shqyrtimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se ky pretendim  është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 47 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Tasim Zhuniqi dhe Nasip Zhuniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri