Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.199/2018, të 5 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 63/19, KI 66/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI63/19 dhe KI66/19, Parashtrues të kërkesës: Vahide Badivuku, Idriz Kelmendi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml.nr.199/2018, të 5 dhjetorit 2018

KI63/19 dhe KI66/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 12 prill 2021, i publikuar më 26 prill 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa KI63/19 ishte dorëzuar nga Vahide Badivuku me banim në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa Kërkesa KI66/19 ishte dorëzuar nga Idriz Kelmendi, nga Mitrovica të cilin e përfaqësonte avokati Besnik Berisha.

Parashtruesit e kërkesës pretendonin që Aktgjykimi [PML.nr.199/2018] i 5 dhjetorit 2018 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre të garantuara me nenin 3 dhe nenin 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] 36 [E Drejta e Privatësisë], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), 7 (Nuk ka dënim pa ligj), dhe nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare)  të KEDNJ-së.

Gjykata shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtruesve të kërkesës, dhe arsyetoi secilin pretendim te tyre.

Sa i përket pretendimeve të parashtrueses së kërkesës KI63/19, Gjykata pasi shqyrtoi dhe vlerësoi secilin pretendim të saj, vendosi si në vijim:

Gjykata vlerësoi se parashtruesja e kërkesës ka pasur mundësi të mjaftueshme që para gjykatave të rregullta t’i prezantojë të gjitha pretendimet për shkelje të të drejtave të saj. Për më tepër, Gjykata konsideron se argumentet e saj janë dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe janë shqyrtuar në mënyrë të duhur nga gjykatat e rregullta. Gjykata konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, nuk kanë qenë në ndonjë mënyrë të padrejta apo arbitrare (Shih rastin e GJEDNJ-së Shub kundër Lituanisë, kërkesa nr. 17064/06, Aktgjykim i 30 qershorit 2009).Në linjë me praktikën e  saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata përsërit që nuk është funksion i  Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e  pretenduara në aplikimin e ligjeve përkatëse që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e  rregullta, nëse me këtë aplikim nuk janë shkelur të drejtat dhe liritë e  mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ. Ajo vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykate e  rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi  tjetër. Nëse do te ishte ndryshe, Gjykata do te vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e  kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave te rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin e GJEDNJ-së: Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafi 28).

Prandaj, Gjykata vlerëson se nuk ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së për sa i përket çështjes së pranueshmërisë dhe administrimit të provave në kuadër të një gjykimi të drejtë. Rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 paragrafi (2) të Rregullores së Punës.

Përderisa pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe parimit in dubio pro reo, Gjykata nuk do e trajtojë më tej për shkak të mos qartësimit dhe arsyetimit përkatës, ajo po ashtu thekson që tashmë më lartë ka konstatuar se nuk ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në ndërlidhje me procesin e pranueshmërisë dhe administrimit të provave.

Sa i përket pretendimit për shkelje të parimit të barazisë së armëve, Gjykata vlerësoi se në dritën e elaborimeve dhe arsyetimit të Gjykatës Supreme, Gjykata konstaton se në rastin e parashtrueses së kërkesës gjykatat e rregullta kanë nxjerrë vendimet e tyre në përputhje me standardet e kërkuara për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe vendimmarrjen e tyre nuk e kanë bazuar vetëm në një provë por në një mori provash, të cilat janë listuar në aktgjykimet e saj.

Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës nuk e ka mbështetur me prova e as nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm pretendimin e saj në baza kushtetuese për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, specifikisht, për shkelje të nenit 31 dhe 36 të Kushtetutës, sepse faktet e paraqitura nga ajo në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta i kanë mohuar asaj të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës KI66/19, Gjykata pasi shqyrtoi dhe vlerësoi secilin pretendim të tij, vendosi si në vijim:

Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në këtë aspekt, Gjykata konsideron se, ndonëse Gjykata Supreme mund të mos jetë përgjigjur në çdo pikë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij (shih Van de Hurk kundër Holandës, cituar më lart, paragrafi 61), ajo i ka adresuar argumentet thelbësore të parashtruesit të kërkesës për sa i përket zbatimit të së drejtës materiale (shih rastin e GJEDNJ-së, Buzescu kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 63; dhe Pronina kundër Ukrainës, kërkesa nr. 63566/00, Aktgjykim i 18 korrikut 2006, paragrafi 25), dhe kështu është përmbushur obligimi për të ofruar një vendim të arsyetuar gjyqësor sipas kërkesave të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se në kuptim të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, është detyrim i gjykatave që argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës të adresohen dhe arsyet e dhëna të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm. Gjykata konsideron se sa i përket pretendimit konkret, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Supreme, Aktgjykimi i të cilit kontestohet në Gjykatë, e kanë përmbushur këtë detyrim.

Sa i përket pretendimit për shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm si pasojë e cenimit të parimit të mosrëndimit të pozitës së të pandehurit, reformatio in peius, gjatë shqyrtimit të çështjes. Në rastin konkret, Gjykata vëren se Prokurori Special ka kërkuar dënim më të ashpër për parashtruesin e kërkesës në dy instanca gjyqësore. Gjykata po ashtu vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë vlerësuar se kushti formal për mos shkelje të parimit “reformatio in peius” nga neni 395 KPP-së është përmbushur me paraqitje të ankesave të Prokurorit Themelor. Veç kësaj, Gjykata po ashtu vëren se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore është anuluar me aprovimin e ankesave të parashtruesit të kërkesës dhe sipas detyrës zyrtare, dhe rrjedhimisht, ankesa e Prokurorit ka mbetur e pashqyrtuar dhe e pavlerësuar (shih, mutatis mutandis, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, Rasti Nr. KI45/16, Parashtrues Muhamet Nikqi dhe Arbnor Nikqi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 shkurtit 2017, paragrafët 29-33). Gjykata vëren se në rastin konkret dënimi më i ashpër ndaj parashtruesit të kërkesës është caktuar  nga Gjykata Themelore, ndërsa me vendim të Gjykatës së Apelit atij i është zbritur dënimi, çka është çështje diskrecionale e gjykatave të rregullta. Gjykata, në pajtim me rolin subsidiar të saj në rastet individuale, konsideron se gjykatat e rregullta kanë arsyetuar mjaftueshëm pse në rastin konkret nuk është shkelur parimi “reformatio in peius” në dëm të parashtruesit të kërkesës.

Sa i përket parimit të barazisë së armëve dhe parimit in dubio pro reo. Sa i përket këtij pretendimi  të parashtruesit Gjykata vëren se, Gjykatat e rregullta përkatësisht Gjykata Supreme Aktgjykimi i të cilës kontestohet, kanë arsyetuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me marrjen e deklaratave të bashkakuzuarve si të besueshme. Ndër të tjera Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj thekson se: “kjo gjykatë gjen se në arsyetim të aktgjykimit të shkallës së parë janë dhënë arsyetimet sa i përket të gjitha pretendimeve ankimore, e në mënyrë të veçante është arsyetuar se deklarata e të dënuarës Vahide Badivuku dhe I. S. nuk janë prova të papranueshme dhe se nuk ka pesë pengesa ligjore që ato të vlerësohen në lidhmëni me provat tjera, sepse deklaratat e tyre janë dhënë në pajtim me nenin 123 par.5 të KPPK-së.” Bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh karakteristikat e rastit konkret, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk gjen të jetë shkelur e drejta në vendim të arsyetuar gjyqësor, parimit reformatio in peius, parimi i barazisë së armëve dhe parimit in dubio pro reo si elemente përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret, urdhëresa për përgjim të telekomunikimeve ishte e bazuar në nenin 88 të KPPK-së, pra konsiderohet e domosdoshme dhe proporcionale me rrethanat e rastit në fjalë. Prandaj, Gjykata vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të KEDNJ-së.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit për shkelje të nenit 33.1 të Kushtetutës në lidhje me nenin 7 të KEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se Gjykatat e rregullta  i kanë dhëne arsyet e ricilësimit të veprës penale nga ushtrimi i ndikimit në dhënie të ryshfetit (shih edhe paragrafët më lartë 174-177). Gjykata vlerëson se ky arsyetim tregon se gjykata nuk kanë shkelë ligjin penal në dëm të tij, dhe duke arsyetuar se  ricilësimi i veprës penale ka shkuar në favor të palës sepse ai është dënuar me dënim më të butë (shih paragrafin 177). Rrjedhimisht, ky pretendim duhet të refuzohet si qartazi i pabazuar.

Në fund, lidhur me parashtruesen e kërkesës KI63/19 – Vahide Badivuku,  bazuar në elaborimet e mësipërme dhe karakteristikat e rastit konkret, pretendimet e ngritura nga ajo dhe faktet e paraqitura nga ana e saj, Gjykata duke u mbështetur  në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore, dhe në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk gjen të jetë shkelur procedura e administrimit të provave, parimi i barazisë së armëve dhe prezumimi i pafajësisë dhe parimit in dubio pro reo si elemente përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nuk gjeti të jetë shkelur neni 36 i Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së.

Lidhur me parashtruesin e kërkesës KI66/19 – Idriz Kelmendi, Gjykata në bazë të sqarimeve të lartpërmendura thekson se nuk ka shkelje të vendimit të arsyetuar gjyqësor, parimit të barazisë së armëve dhe reformatio in peius si elemente përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nuk gjeti të jetë shkelur neni 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të KEDNJ-së, dhe neni 33 .1 i Kushtetutës në lidhje me nenin 7 KEDNJ-së.

Rrjedhimisht, Gjykata, kërkesat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe i deklaroi të papranueshme në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, po ashtu kërkesa e parashtrueses së kërkesës për mbajtje të seancës dëgjimore u refuzua si e pabazuar.

Parashtruesit:

Vahide Badivuku, Idriz Kelmendi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale