KI180/22, Parashtrues: Bashkim Salihu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ. nr. 56/2022], të 3 gushtit 2022
KI180/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 janarit 2024, publikuar 13 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, çështje civile, e drejta në gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kërkesë të parashtruesit të kërkesës për zbatimin e Vendimit [Nr. 02/151], të 6 janarit 2011, të Qeverisë, me të cilin ishte vendosur për rritjen e pagave të shërbyesve civile, në lartësinë prej tridhjetë përqind (30%) mbi pagën bazë. Parashtruesi i kërkesës kishte ndjekur disa procedura administrative para se t’i drejtohej me padi Gjykatës Themelore në Prishtinë, por kërkesat e tij u refuzuan fillimisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më pas edhe nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil (KPMSHCK). I pakënaqur me vendimet e organeve administrative parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila me Aktgjykimin A. nr. 614/13, aprovoi si të bazuar padinë e tij, anuloi Vendimin [Nr. 02/129/2013], e KPMSHCK-së, dhe e ktheu çështjen në rivendosje pranë kësaj të fundit. Më 13 janar 2016, KPMSHCK me Vendimin [A. 02/05/2016], e kishte hedhur poshtë si të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se i njëjti nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet e brendshme juridike pranë organeve të KPK-së. Parashtruesi i kërkesë kishte ushtruar sërish padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me pretendimin se i njëjti ishte marrë në shkelje të dispozitave ligjore dhe me konstatim të gabuar të gjendjes faktike, duke shtuar se objekti i kontestit ishte zbatimi i Vendimit [Nr. 02/151] të Qeverisë për rritje të pagave dhe jo inicimi i procedurave administrative për ndonjë çështje tjetër. Në lidhje me këtë padi, Gjykata Themelore në Prishtinë, nxori Aktgjykimin A. nr. 192/2016, me të cilin aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesës, anuloi Vendimin [Nr.02/129/2013] dhe Vendimin [A. 02/05/2016], të KPMSHCK-së, dhe ktheu çështjen në rivendosje pranë kësaj të fundit. KPMSHCK kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin AA. nr. 14/2019 aprovoi ankesën e KPMSHCK, anuloi Aktgjykimin [A. nr. 192/2016] e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ktheu çështjen në rivendosje pranë kësaj të fundit, e cila duke vendosur në riprocedurë nxori Aktgjykimin [A. nr. 1338/2019], me të cilin e refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se në momentin e paraqitjes së ankesës në KPK, parashtruesi i kërkesës në fakt kishte filluar procedurë administrative dhe se nuk kishte prova se kundër Vendimit [KPK/Nr. 55/2013] të këtij organi kishte ushtruar ankesë pranë Komisionit për Zgjidhjen e Ankesave dhe Parashtresave, në KPK. Parashtruesi i kërkesës kundër këtij Aktgjykimi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila me Aktgjykimin AA. nr. 540/2020, e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi Aktgjykimin [A. nr. 1338/2019] e gjykatës së shkallës së parë, duke vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje procedurale të LKA-së dhe të LPK-së, nga paragrafi 2 i nenit 182, për të cilat shkaqe gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare dhe shkeljes të së drejtës materiale, ashtu siç pretendonte parashtruesi i kërkesës. Ky Aktgjykim u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme me Aktgjykimin ARJ. nr. 56/2022, të 3 gushtit 2022.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [E Drejta në Pronë], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), me paragrafin 1 të nenit 6 dhe me nenin 13 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata në këtë rast shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar parimet e përgjithshme të përcaktuara nëpërmjet praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të saj, dhe i zbatoi ato në rrethanat e rasti konkret dhe konstatoi se përkitazi me pretendimin (i) për shkelje të së drejtës për një “vendim të arsyetuar gjyqësor”, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme kishte adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura nëpërmjet mjetit të jashtëzakonshëm dhe se i kishte dhënë përgjigje në çdo pretendim thelbësor, si përkitazi me detyrimin e tij për t’i shteruar mjetet e brendshme juridike pranë KPK-së, po ashtu edhe për sa i përket çështjes së zbatimit të Vendimit [nr. 02/151] të Qeverisë. Për sa i përket pretendimit (ii) për “aplikim qartazi arbitrar të ligjit”, Gjykata bazuar në shkresat e lëndës, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur ta ngrejë pretendimin e tij në nivel kushtetutshmërie, por në nivel ligjshmërie. Përkitazi me pretendimin (iii) për shkelje të së drejtës për “mjet efektiv juridik” në ndërlidhje me të drejtën për “mbrojtje gjyqësore të të drejtave”, Gjykata rikujtoi se një pretendim i tillë në substancë ishte ngritur nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, dhe se në lidhje me këtë çështje kjo e fundit e kishte adresuar të njëjtin. Ndërsa për sa i përket pretendimit (iv) për “shkelje të të drejtave pronësore”, Gjykata, duke marrë parasysh parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e saj, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 46 të Kushtetutës dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, vlerësoi se të njëjtat parime nuk janë të aplikueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës sepse në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë as me një të drejtë pronësore të fituar e as me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me një të drejtë të pohueshme (pritje legjitime) të fitimit të së drejtës së pronësisë me ligj.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: I) pretendimet për shkelje të së drejtës për “vendim të arsyetuar” të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, dhe të paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, i përkisnin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuar”, dhe si të tilla në baza kushtetuese, i deklaroi qartazi të pabazuara; (II) pretendimet për “aplikim qartazi arbitrar të ligjit”, si pjesë përbërëse e “gjykimit të drejtë” të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, i përkisnin kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizoheshin si pretendime “të shkallës së katërt”, prandaj të njëjtat në baza kushtetuese, i deklaroi qartazi të pabazuara; (II) pretendimet për shkelje të së drejtës për “mjet efektiv juridik”, të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkelje të të “drejtave pronësore”, të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, i përkisnin kategorisë dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” prandaj edhe këto i deklaroi qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Bashkim Salihu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative