Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, A. A. nr. 4/2022, të 19 prillit 2022 

Nr. të lëndës KI78/22

Parashtruesit: Musa Konxheli

Shkarko:

KI78/22, Parashtrues: Musa Konxheli, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, A. A. nr. 4/2022, të 19 prillit 2022 

KI78/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar. 

Parashtruesi i kërkesës është akuzuar për mosprocedim në një lëndë penale të caktuar, ndërsa ishte gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe më pas në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndërkohë, Autoriteti Kompetent i Gjykatës Themelore fillon hetime disiplinore, duke rezultuar në vërejtje publike për parashtruesin. Pas kësaj, ai ankohet në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje thelbësore të procedurave ligjore dhe aplikim të gabuar të ligjit, por kërkesa e tij refuzohet. Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet/arsyetimet e parashtruesit për mosndërmarrje të veprimeve në lëndën penale është i pabazuar dhe masa disiplinore e caktuar është në përputhje me seriozitetin e shkeljes disiplinore.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin për shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pasi që Aktgjykimi [A. A. nr. 4/2022] i 19 prillit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk i ka plotësuar kriteret për një “gjykim të drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të: (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor; (ii) aplikimit të gabuar të ligjit material lidhur me shqiptimin e masës disiplinore (iii) dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Në lidhje me çështjen e parë dhe të dytë, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme në mënyrë të detajuar në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me aplikimin e gabuar të të drejtës materiale në rastin e tij.  Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) në mënyrë të drejtë nën dritën e rrethanave të rastit konkret ishte zbatuar neni 5, paragrafi 2, nënparagrafi 2.7 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në lidhje me nenin 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar; si dhe (ii) sanksioni disiplinor i KGJK-së është proporcional me shkeljen disiplinore të gjyqtarit, duke përfshirë seriozitetin e shkeljes, pasojat e saj, rrethanat e ngjarjes, performancën dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit, si dhe sjelljen dhe bashkëpunimin e tij në procedurën disiplinore, të gjitha në përputhje me nenin 7, paragrafin 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Gjykata vëren se Gjykata Supreme si instanca e fundit në këtë çështje, në rastin e parashtruesit të kërkesës, kishin analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund kishin refuzuar ankesën e tij. Arsyet për refuzim të ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme, i kishte bazuar në dispozitat përkatëse, respektivisht në nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që ajo i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.

Gjykata thekson se neni 6, paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument.

Rrjedhimisht, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” prandaj, Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Në lidhje me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata konsideroi se nga arsyetimet e mësipërme të dhëna në Aktgjykimin e kontestuar, vlerëson se Gjykata Supreme është kujdesur dhe ka adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përfshirë edhe atë të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike në rastin e parashtruesit të kërkesës.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për konstatim të gabuar të gjendjes faktike janë pretendime që i takojnë kategorisë së “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Andaj, Gjykata konkludon se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Musa Konxheli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile