KI216/21, Parashtrues: Kujtim Rezniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 81/2021, të 14 tetorit 2021
KI216/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 31 marsit 2022, publikuar më 20 prill 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në punë dhe ushtrimin e profesionit, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendim i shkallës së katërt, mosshterim substancial
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Vendimin e Punëdhënësit [KEDS], të 2 shkurtit 2015 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës, përmes të cilit pas zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj tij ishte konstatuar shkelje e rëndë të detyrave të punës. Kundër këtij Vendimi të Punëdhënësit, të 2 shkurtit 2015, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë te organi i shkallës së dytë të Punëdhënësit, i cili përmes Vendimit, të 4 marsit 2015 kishte vërtetuar gjetjet e konstatuara përmes Vendimit të Punëdhënësit, të 2 shkurtit 2015. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore kishte parashtruar kërkesëpadi, ndër tjerash duke kërkuar (i) anulimin e dy vendimeve të Punëdhënësit të 2 shkurtit 2015 dhe 4 marsit 2015, respektivisht dhe (ii) kthimin në vendin e tij të mëparshëm të punës. Parashtruesi i kërkesës, në thelb pretendoi se nuk kishte vepruar në kundërshtim me detyrat e tij të punës, respektivisht, nuk kishte dhënë miratimin për instalimin e orëmatësit të ri në lokalin afarist të konsumatorit D.P. dhe nuk kishte nënshkruar procesverbalin për ndërrimin e orëmatësit. Në procedurën e zhvilluar kontestimore, më 23 nëntor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. Nr. 124/15] kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar me arsyetimin se veprimet e Punëdhënësit kanë qenë të drejta dhe se me rastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të parashtruesit të kërkesës, nuk ka pasur parregullsi si dhe shkelje ligjore. Pas administrimit të provave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve gjatë seancave dëgjimore të mbajtur në këtë gjykatë, Gjykata Themelore kishte konkluduar se edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk e kishte nënshkruar procesverbalin e 21 janarit 2015, ai kishte qenë i pranishëm në rastin e ndërrimit të orëmatësit te konsumatori D.P. dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për paraqitje të parregullsive ekzistuese në atë rast. Si rezultat i ankesës së parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 607/17] të 1 dhjetorit 2020 kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 23 nëntorit 2016. S rezultat i revizionit të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Rev. Nr. 81/2021] revizionin e tij e kishte refuzuar si të pathemeltë.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces ttë rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës, si dhe nenin 1 [Mbrojtja e Pronës] të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës, Prandaj, duke marrë për bazë atë që është cekur më lartë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si këto interpretime të dispozitave përkatëse ligjore, të bëra nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e rregullta, kanë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme në rastin e tij apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare. Në këtë kuptim, Gjykata gjet se parashtruesi i kërkesës nuk kanë mbështetur se si vendimet e gjykatave të rregullta, në veçanti Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me nenin 49 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se këto pretendime duhet të refuzohen si të papranueshme për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores se punës.
Kujtim Rezniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile