Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.76/2021 të 18 majit 2021   

Nr. të lëndës KI 184/21

Parashtruesit: Sabrije Bytyqi

Shkarko:

KI184/21, Parashtrues: Sabrije Bytyqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.76/2021 të 18 majit 2021   

KI184/21, Aktvendim për papranueshmëri i 2 shkurtit 2022, publikuar më 23 shkurt 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kamata vjetore, kompensim material dhe jo material, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm,  kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesja e kërkesës në një aksident rrugor kishte humbur njërin sy dhe kishte pësuar edhe lëndime tjera trupore nga i siguruari i kompanisë së sigurimeve “Elsig”. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës kishte kërkuar kompensim material dhe jo material nga kompania e sigurimeve “Elsig”. Më pastaj, çështja ishte proceduar tek gjykatat  e rregullta. Gjykata Themelore kishte akorduar kompensim material dhe jo material në dobi të parashtrueses së kërkesës dhe prindërve të saj për shkak të dëmit të pësuar. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës dhe pala e paditur kompania e sigurimeve “Elsig” paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit kishte ndryshuar shumat e gjykuara për dëmin material dhe jo material por kishte vërtetuar kamatën vjetore në lartësi prej 12%.  Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës dhe pala e paditur kompania e sigurimeve “Elsig” paraqitën revizion kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit mirëpo e ndryshoi vetëm sa i përket lartësisë së kamatës përkatësisht e ndryshoi atë nga 12% në 8% në vit.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesja e  kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit],  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së. Parashtruesja e kërkesës në thelb pretendoi se me vendimet e gjykatave të rregullta në pjesët refuzuese të ankesës dhe në pjesët ndryshuese të gjykimit, asaj i janë shkelë të drejtat në gjykim të drejtë dhe të pa anshëm, ngase palët në procedurë nuk janë trajtuar barabarësish. Parashtruesja e kërkesës thekson se Gjykata Supreme ka zbritur kamatëvonesën nga 12 % në vit sa ka qenë e gjykuar nga dy instanca gjyqësore në 8 % në vit, në kundërshtim me ligjin e veçantë për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia në dëm të saj.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta sa u përket shumave të gjykuara të kompensimit për dëmin e pësuar kanë shpjeguar: (i) ato përfaqësojnë një kompensim të drejtë si “satisfakcion” me qëllim të zbutjes së pasojave dhe se nuk kanë karakter “lukrativ” fitimprurës për parashtruesen e kërkesës kurse; (ii) kurse sa i përket zvogëlimit të kamatës vjetore nga 12% në 8% Gjykata Supreme ka shpjeguar se parashtruesja e kërkesës ka ushtruar padi para skadimit të afatit ligjor përkatësisht para se të përgjigjej pala e paditur kompania e sigurimeve “Elsig”; (iii) rrjedhimisht, gabimisht është aplikuar e drejta materiale (neni 26 i Ligjit mbi Sigurimin e Detyrueshëm të Autopërgjegjësisë).

Kurse lidhur me pretendimin për barazi para ligjit, Gjykata vlerësoi se parashtruesja e kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ajo ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme. Barra e të provuarit për trajtim diskriminues bie mbi parashtruesen  e kërkesës çka bazuar në shkresat e lëndës është evidente se pretendimin për diskriminim  ajo nuk e ka provuar.

Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton që parashtruesja e kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet  për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore  të garantuara me nenet 3, 24, 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së dhe nenin 10 të DUDNJ-së.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sabrije Bytyqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile