KI42/23, Parashtrues: Smajl Mekaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 73/2022, të 7 tetorit 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë qartazi e pabazuar
Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për fitimin e të drejtës së pronësisë në bazë të së drejtës së mbajtjes dhe shfrytëzimit të pronës për një kohë të gjatë, të cilën ngastër pretendonte se e kishte trashëguar nga paraardhësit dhe se gabimisht kjo ngastër është regjistruar në emër të të paditurit Q.D. Gjykata Komunale fillimisht e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetimit e të drejtës së pronësisë, vendim ky i cili u atakua nga i padituri Q.D. Më pas Gjykata Supreme delegoi kompetencën tek Gjykata e Qarkut në Prizren, si rezultat i asaj që parashtruesi i kërkesës ishte në lidhje gjaku me kryetarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë. Gjykata e Apelit miratoi si të bazuar ankesën e të paditurit, kurse Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Pejë u prish dhe lënda u kthye në rigjykim. Në riprocedurë, Gjykata Themelore në Prizren refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjithashtu edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme i refuzuan si të pabazuara ankesën dhe kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata sjell në vëmendje se parashtruesi i kërkesës ankesën kryesore të tij e ndërlidh me “zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale”. Në këtë kontekst, i njëjti pretendon që pasiqë ishte lejuar dëgjimi i dëshmitarit A. (T.) D. në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit të Procedurës Kontestimore, ai ishte vënë në pozitë më të pafavorshme, me ç’ rast është cenuar barazia e palëve në procedurë, si dhe gjykatat e rregullta kishin marrë vendim në bazë të bindjes së lirë dhe jo duke u bazuar në dispozita përkatëse ligjore.
Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Smajl Mekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile