Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 585/2020, të 14 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI 227/21

Parashtruesit: Besim dhe Bujar Ajeti

Shkarko:

KI227/21, Parashtrues: Besim dhe Bujar Ajeti, Vlerësim i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 585/2020, të 14 tetorit 2021

KI227/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 majit 2022, publikuar më 31 maj 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mbrojtja e pronës,  kërkesë qartazi e pabazuar, pretendim i shkallës së katërt

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës përmes të cilës kishin theksuar që paluajtshmëria e kontestuar e blerë nga i ati i tyre S.A në vitin 1971, në regjistrat kadastralë ishte regjistruar gabimisht si pronë shoqërore. Si rrjedhojë, parashtruesit e kërkesës në kërkesëpadinë e tyre kërkuan që kjo paluajtshmëri të bartet dhe të regjistrohet në emër të tyre si pronë private. Gjykata Themelore, pas mbajtjes së seancave dëgjimore dhe administrimit të provave kishte refuzuar kërkesëpadinë e tyre duke konstatuar se parashtruesit e kërkesës nuk kanë ofruar prova për t’i mbështetur pretendimet e tyre dhe rrjedhimisht kishte konkluduar se asnjë nga bazat për vërtetimin e pronësisë të parapara me ligjet në fuqi nuk ishin plotësuar. Si rezultat i ankesës së tyre kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit ankesën e tyre e kishte refuzuar si të pabazuar duke e vërtetuar konstatimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Këtë konstatim të Gjykatës së Apelit, e kishte vërtetuar edhe Gjykata Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [Rev. Nr. 585/2020] të 14 tetorit 2021 kishte refuzuar revizionin e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj, pretendimet e parashtruesve të kërkesës se prona e regjistruar është regjistruar në emër të Komunës së Prishtinës përmes një gabimi teknik i refuzoi si të pabazuar duke vlerësuar se në rast të një gabimi teknik, parashtruesit të kërkesës kanë pasur mundësi që përmes një procedurë administrative të iniciojnë procedurë për korrigjimin e një gabimi i tillë.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

  • Gjykata konsideroi se parashtruesit e kërkesës nuk kanë mbështetur se si vendimi për refuzimin e kërkesëpadisë së tyre nga Gjykata Themelore, e vërtetuar edhe nga Gjykata e Apeli dhe ajo Supreme kanë shkelur të drejtën e tyre në pronë, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 46 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata arriti në përfundim se ky pretendim i parashtruesve të kërkesës për shkelje të të drejtave të tyre pronësore, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 46 të Kushtetutës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.
Parashtruesit:

Besim dhe Bujar Ajeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile