KI75/20, Parashtruesi i kërkesës: Rrahman Rama, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. Nr. 464/2019 të 6 shkurtit 2020
KI75/20, aktvendim i 7 tetorit 2021, publikuar më 26 tetor 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë që parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kundër Komunës së Podujevës për shkak të largimit të objektit të përkohshëm të montuar (kiosk). Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës iu nënshtrua kontrollit gjyqësor, me ç’rast Gjykata Themelore, fillimisht, e miratoi kërkesëpadinë e parashtruesit si të bazuar dhe e obligoi Komunën e Podujevës që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar me largimin e objektit kontestues. Në procedurën e ankimimit, Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e ndryshuar të njëjtin ashtu që kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensim të dëmit e refuzoi si të pabazuar. Gjithashtu, Gjykata Supreme në procedurën e revizionit e refuzoi kërkesën e parashtruesit për revizion, duke konstatuar me atë rast se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është i drejtë dhe i ligjshëm.
Parashtruesi i kërkesës konteston pikërisht aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin u anulua dhe u ndryshua aktgjykimi i Gjykatës Themelore, duke theksuar të drejtën e punës dhe të ushtrimit të profesionit.
Megjithatë, në kërkesë, Gjykata nuk ka gjetur pretendime konkrete me të cilat parashtruesi i kërkesës arsyeton shkelje të nenit në fjalë të Kushtetutës, me ç’rast ai e vë Gjykatën në pozitë të tillë që ajo para vetes nuk ka pretendimet të ndërtuara, mbi bazën e të cilave Gjykata do të mund të shqyrtonte mundësinë e ekzistimit të shkeljes së nenit të Kushtetutës, të cilit i është referuar parashtruesi në kërkesë.
Duke pasur këtë parasysh, Gjykata në bazë të praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës gjyqësore të GjEDNj-së vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përbëjnë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Kjo sepse parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkelje të nenit të Kushtetutës, pa dhënë ndonjë arsyetim dhe pa mbështetur pretendimet e tij përkitazi me mënyrën se si aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, duke përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, mund të kenë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenin 49 të Kushtetutës.
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës janë “pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Rrahman Rama
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile