KI45/22, Parashtruesi i kërkesës: Behar Syla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës REV. nr. 389/2021 të 15 shkurtit 2022
KI45/22, Aktvendim për papranueshmëri i 15 nëntorit 2022, publikuar më 12 dhjetor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, të drejtat e fëmijës
Parashtruesi i kërkesës dhe bashkëshortja e tij, F.S., zhvilluan procedurën e shkurorëzimit, e cila përdundoi, së pari me aktgjykimin [C. nr. 631/2018] të Gjykatës Themelore të 20 dhjetorit 2018, e më pas me aktgjykimin e formës së prerë [AC. nr. 943/19] të Gjykatës së Apelit, të 27 majit 2019. Përmes këtyre aktgjykimeve ishte zgjidhur martesa e parashtruesit të kërkesës dhe bashkëshortes së tij F.S., ndërsa kujdestaria, edukimi dhe mbajtja e fëmijës së tyre të mitur A.S i është dhënë nënës F.S.
Parashtruesi i kërkesës, duke konsideruar se fëmija i mitur po keqtrajtohet fizikisht nga nëna e tij, përkatësisht ish-bashkëshortja e tij, parashtroi padi në Gjykatën Themelore, përmes të cilës kërkoi që të ndryshohet aktgjykimi [C. nr. 631/2018]. Gjykata Themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila u refuzua nga ajo gjykatë. Parashtruesi i kërkesës parashtroi edhe kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila gjithashtu u refuzua nga gjykata.
Duke pasur parasysh këtë rezultat të procedurës gjyqësore, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në gjykatë, duke pretenduar se përmes aktgjykimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 50 [Të Drejtat e Fëmijës], paragrafët 1 dhe 3 të Kushtetutës, neni 19, pika 1 e Konventës për të Drejtat të fëmijës.
Megjithatë, në mbështetje të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës nuk i ka theksuar dhe arsyetuar qartë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës dhe e deklaroi kërkesën të papranueshme për shqyrtim.
Behar Syla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile