Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 380/2020, i 13 janarit 2021

Nr. të lëndës KI 112/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI112/21, Parashtrues: Ismet Bytyqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 380/2020, i 13 janarit 2021

KI112/21, Aktvendim për Papranueshmëri i 8 tetorit 2021, publikuar më 27 tetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, përmbarim i Vendimit, kërkesë qartazi e pabazuar 

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte polic me profesion, deri sa ishte jashtë detyrës zyrtare kishte shkuar në një barnatore në afërsi të Spitalit Rajonal në Prizren, me ç’ rast kishte kërkuar nga farmacisti F.K një medikament, e për të cilin kishte kërkuar sqarime se a është i verifikuar si dhe sqarime tjera. Pronari i barnatores Q.Q kishte ndërhyrë dhe kishte kërkuar nga F.K që t’ ia kthej të hollat parashtruesit të kërkesës dhe njëkohësisht kishte kërkuar nga i njëjti që të kthente medikamentin. Pas acarimit të bisedës, parashtruesi i kërkesës pa u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës, e kishte nxjerr armën zyrtare Glock 9×9, në të cilën kishte pasur 15 fishekë edhe pasi e kishte përgatitur për gjuajtje ia kishte drejtuar Q.Q, të cilin edhe e kishte fyer. Në barnatore kishte qenë edhe një klient i cili në ato momente kishte ndërhyre duke e larguar nga barnatorja pronarin Q.Q. Më pas parashtruesi i kërkesës e kishte kthyer armën zyrtare në brez, e kishte marrë medikamentin dhe ishte larguar edhe ai nga barnatorja. Si rezultat i këtij veprimi, ndaj parashtruesit të kërkesës ishte shqiptuar masa disiplinore e përjashtimit nga marrëdhënia e punës. Kjo masë u konfirmua edhe nga të gjitha shkallët e gjyqësorit të rregullt.

Parashtruesi i kërkesë para Gjykatës pretendim kryesor e kishte vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimin e gabuar të ligjeve nga Gjykata Supreme. Ai theksonte se e njëjta kishte aplikuar gabimisht Udhëzimin Administrativ UA nr. 06/2012 i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ishte i zbatueshëm vetëm për veprat penale të natyrës së korrupsionit, ndërsa parashtruesi po gjykohej për vepra penale jo të natyrës korruptive.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, duke i aplikuar të njëjtat në rastin konkret. Gjykata, ndër tjerash, ritheksoi ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose Konventë.

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të interpretimit të gabuar dhe aplikimit të gabuar të ligjit të zbatueshëm janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Ndërsa lidhur me pretendimet pë shkelje të neneve 3, 24 dhe 49 në lidhje me nenin 14 të  KEDNJ-së, kërkesa u vendos e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ismet Bytyqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative