Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 341/2019, të 9 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 178/20

Parashtruesit: Srboljub, Srgjan, Tomo dhe Sllavisha Dakiq

Shkarko:

KI178/20, Parashtrues: Srboljub, Srgjan, Tomo dhe Sllavisha Dakiq, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 341/2019, të 9 janarit 2020

KI178/20, Vendim për Refuzim, i 19 janarit 2022, publikuar më 8 shkurt 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim për refuzim

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit e kërkesës kishin një kontest pronësor me personin me inicialet R.M, ku ata pretendojnë se në bazë të një kontrate të lidhur në mes të paraardhësit të tyre dhe personit R.M ishte bërë shitblerja e pronës kontestuese dhe se tash ju takon atyre si trashëgimtarë të babit të tyre.

Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenin 48 të Ligjit, Gjykata i kërkoi përfaqësuesit të parashtruesve të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij, duke qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se u janë cenuar parashtruesve të kërkesës. Gjykata pasi që nuk kishte pranuar një përgjigje nga ana e përfaqësuesit të parashtruesve, iu kishte drejtuar me shkresë parashtruesve të kërkesës dhe kishte kërkuar nga ta që cekin dhe sqarojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar.

Më tej si përfaqësues i parashtruesve të kërkesës paraqitet avokati M.H, mirëpo autorizimi ishte i nënshkruar vetëm nga njëri parashtrues i kërkesës. Më 7 tetor 2021 avokati N.H sjelli në Gjykatë një shkresë ku tregon se atij i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit dhe se Gjykata ti drejtohet palëve lidhur me kërkesat e saj.

Më 13 tetor 2021, Gjykata ia dërgoi një shkresë parashtruesve të kërkesës, ku iu rikujto se pas kërkesës së Gjykatës drejtuar juve që të sqaroni se cilat të drejta dhe liri pretendoni se u janë cenuar, Gjykata ka pranuar një shkresë sëbashku me një autorizim nga avokati M.H i cili autorizim ishte i nënshkruar vetëm nga njëri parashtrues përkatësisht Srboljub Dakiq. Po ashtu Gjykata kishte pranuar edhe një autorizim tjetër nga avokati Naser Husaj. Lidhur me këtë Gjykata kërkoi që të sqarojnë se cili nga avokatët i përfaqëson para Gjykatës, dhe të bashkëngjisin autorizimin e vlefshëm. Më 29 tetor 2021, avokati Naser Husaj dërgoi në Gjykatë një shkresë, ku theksoi se atij me vendim të gjykatës i është ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit ku ndër të tjera pohon se “ jam suspenduar deri më datë 22.09.2022 dhe nuk kamë të drejtë të përfaqësoj e as të mbroj derisa të kaloj kjo ndalës”. Tutje ai thekson se tash ka regjistruar agjensionin për patundshmëri dhe punë juridike, dhe se avokati M.H nuk është përfaqësues i parashtruesve por është ai vet.

Parashtruesit e kërkesës nuk kishin cekur në mënyrë specifike ndonjë të drejtë të garantuar me Kushtetutë, për të cilën ata pretendojnë se i janë shkelur me Aktgjykimin  e Gjykatës Supreme, Rev.nr.341/2019, të 9 janarit 2020.

Andaj, në vlerësimin nëse parashtruesit e kërkesës i plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore për vlerësimin e kërkesës së tyre, Gjykata rikujton se neni 48 i Ligjit specifikisht detyron parashtruesit e kërkesave që të qartësojnë saktësisht aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestojnë dhe që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë të jenë cenuar. Ndërsa, rregulli 32 (2) (e), (q) dhe (h) të Rregullores së punës parasheh që kërkesa e parashtruesve të përmbajë edhe mbrojtjen juridike të kërkuar, arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës si dhe informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.

Edhe pas shkresës së 13 tetorit 2021, Gjykata nuk mori ndonjë përgjigje nga ana e parashtruesve të kërkesës. Mirëpo pranoi një shkresë nga ana e avokatit Naser Husaj, ku ndër të tjera ai theksoi se atij me vendim të gjykatës i është ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit ku siç thekson “ jam suspenduar deri më datë 22.09.2022 dhe nuk kamë të drejtë të përfaqësoj e as të mbroj derisa të kaloj kjo ndalës”. Ndër të tjera ai theksoi se tash ka regjistruar agjensionin për patundshmëri dhe punë juridike, dhe se avokati M.H nuk është përfaqësues i parashtruesve por është ky vet. Sa i përket kërkesës së Gjykatës që të ceken dhe sqarohen të drejtat dhe liritë të cilat pretendohen se iu janë cenuar parashtruesve të kërkesës,  ai më tej thekson vetëm se parashtruesve i është bërë e padrejtë e madhe.

Në këtë aspekt, Gjykata vlerësoi se përkundër kërkesave specifike të Gjykatës, parashtruesit e kërkesës: i) nuk kishin specifikuar të drejtat e tyre që pretendojnë se u janë cenuar sipas Kushtetutës; si dhe ii) nuk i kishin qartësuar se cili nga avokatët i përfaqëson para Gjykatës, kur dihet se avokati M.H kishte sjell një autorizim të nënshkruar nga vetëm njeri parashtrues, ndërsa Naser Husaj i ishte ndaluar veprimtaria me vendim gjyqësor, dhe nuk kishte të drejtë përfaqësimi, siç thekson edhe ai vetë në shkresën e dorëzuar në Gjykatë më 29 tetor 2021.

Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesës.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mos kompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 21, 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (e) dhe (h) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata përfundoi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Srboljub, Srgjan, Tomo dhe Sllavisha Dakiq

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile