Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 29/19, të 1 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI159/20

Parashtruesit: ADOL sh.p.k.

Shkarko:

KI159/20, Parashtrues: ADOL sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 29/19, të 1 korrikut 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, markë tregtare 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me regjistrimin e markës tregtare “GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU”, nga ana e parashtruesit të kërkesës tek Agjencia për Pronësi Industriale (API). Për shkak të ngjashmërive me disa produkte të importuara nga kompania “ELKOS” dhe përdorimin e të njëjtës markë tregtare nga kjo e fundit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi si dhe kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Themelore, duke  pretenduar cenim të së drejtës në markë tregtare të parashtruesit të kërkesës. Në procedurat gjyqësore, padia e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar sepse Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, vlerësuan ndër tjerash, se bazuar në Ligjin për Markat Tregtare dhe Konventën e Parisit për Mbrojtjen e Pronësisë Industriale, marka tregtare e përdorur nga kompania tjetër, është “markë e mirënjohur” dhe e cila gjithashtu përmban “simbole shtetërore”, të cilat nuk mund të përvetësohen nga një palë dhe përdorimi i tyre të i’u ndalohet palëve tjera.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke argumentuar, ndër tjerash se ai ka regjistruar markën tregtare tek API, dhe si pasojë atij, bazuar në Ligjin për Markat Tregtare, i takojnë të gjitha të drejtat ligjore lidhur me të, duke pretenduar gjithashtu që vetëm API është kompetente të merr vendimin për të refuzuar aplikimin për regjistrim dhe/ose shpalljen e markës së regjistruar tregtare si të pavlefshme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën në pronë dhe pastaj aplikoi të njëjtat në rastin konkret. Lidhur me këtë, Gjykata konstatoi  se “e drejta në pronë” e përcaktuar në nenin 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ, aplikohet lidhur me markat e regjistruara tregtare. Në këtë kontekst, Gjykata bazuar në praktikën e lartcekur gjyqësore, së pari analizoi nëse në rastin konkret ka pasur “ndërhyrje” në të drejtën e tij “në pronë” dhe nëse vlerësimi i gjykatave të rregullta në këtë aspekt ka qenë arbitrar. Lidhur me këtë Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta, iu referuan dy kategorive të arsyetimeve, mbi bazën e ligjeve të aplikueshme, për të refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht (a) markave të mirënjohura; dhe (b) përdorimit të simboleve kombëtare.

Gjykata, në analizimin e arsyetimeve të gjykatave të rregullta, gjeti se këto të fundit, në esencë, kanë zbatuar, mes tjerash, dispozitat përkatëse të Ligjit për Marka Tregtare dhe dispozitat relevante të instrumenteve ndërkombëtare dhe të cilat specifikisht rregullojnë çështjen e “markave të mirënjohura”, dhe me këtë rast, kanë konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk mund të ndalojë importimin e mallrave të kompanisë tjetër, meqenëse ato janë “marka të mirënjohura”, dhe ishin të tilla edhe para regjistrimit formal të markës tregtare nga parashtruesi i kërkesës në API. Për më tepër, dhe sa i përket përdorimit të simboleve kombëtare, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta, duke zbatuar dispozitat relevante të instrumenteve ndërkombëtare dhe të cilat specifikisht rregullojnë çështjen e simboleve kombëtare dhe shtetërore, kishin theksuar se që të dy kompanitë përdorin në produktet e tyre elemente të flamurit dhe të stemës kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe se ky fakt përbën një karakteristikë përmes së cilës i pamundësohet përvetësimi i këtij simboli si markë tregtare nga parashtruesi i kërkesës, dhe që në rrethana të rastit konkret, kjo nënkupton që palës tjetër nuk mund t’i ndalohet përdorimi i kësaj shenje.

Për rrjedhojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [Rev.nr. 29/19] i 1 korrikut 2020 i Gjykatës Supreme, nuk është nxjerrë në shkelje të nenit 46 (Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

ADOL sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile