KI53/20, Parashtrues: Kujtim Bakija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 283/2019, të 9 tetorit 2019
KI53/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 shtatorit 2020, publikuar më 06 tetor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar
Në bazë të shkresave të lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike në Divizionin e Rrjetit, Distrikti në Gjakovë, dhe më 2 shkurt 2015, kjo e fundit, përmes Vendimit [nr. 214], i kishte shqiptuar parashtruesit të kërkesës masën disiplinore “shkëputje të marrëdhënies së punës”.
Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë kundër vendimit të lartpërmendur, dhe kjo e fundit me Aktgjykimin [C. nr. 100/2015], refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi si të pabazuar si dhe kërkesën për kthim në vendin e punës dhe kompensimin e pagave.
Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 4459/2016], refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 100/2015] e Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës Kushtetuese, kontestoi Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 283/2019, përmes të cilit u refuzua si i pabazuar revizioni i parashtruesit të kërkesës, kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 4459/2016] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 18 marsit 2019.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se gjykatat e rregullta nuk i kishin arsyetuar vendimet e tyre, duke mos i adresuar pretendimet e parashtruesit si dhe nuk e kanë vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale.
Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte qartazi e pabazuar.
Kujtim Bakija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative