Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. Nr. 198/2018, i 2 korrikut 2018

Nr. të lëndës KI 144/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI144/18, Parashtrues: Jashar Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. Nr. 198/2018, i 2 korrikut 2018

KI144/18, Aktvendim për Papranueshmëri i miratuar më 9 dhjetor 2020, publikuar më 5 janar 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia e armëve, e drejta për t’u dëgjuar, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm,  kërkesë e papranueshme

Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës ishte shkarkuar nga puna me vendim të Dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës përkatësisht keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve-falsifikim i dokumentit.

Çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar në të gjitha instancat e gjyqësorit të rregullt deri tek Gjykata Supreme. Gjykata Supreme kishte vlerësuar: (i) se gjykata e shkallës së dytë drejtë ka zbatuar dispozitat ligjore të Urdhëresës Administrative nr. 2003/2 që përcaktojnë përfundimin e punësimit në shërbimin civil; (ii) deklaratat e dëshmitarëve HK, IK dhe HT kanë të bëjnë me vërtetimin e gjendjes faktike për të cilat bazuar në nenin 214 paragrafi 2 të LPK-së, revizioni nuk mund të paraqitet; (iii) pretendimet për mos vlerësim të deklaratës së dëshmitarit RR dhe mos dhënien e arsyeve për ekspertizën e ekspertit të kriminalistikës, u vlerësuan pa ndikim sepse nga provat tjera ekzistuese janë vërtetuar shkeljet e rënda të punës çka ka ndikuar që pala e paditur ta shkëpus marrëdhënien e punës me parashtruesin e kërkesës; (iv) se vetë parashtruesi i kërkesës ka pohuar provat e shqyrtuara çka ndikuar që mbajtja e procedurës disiplinore të mos jetë e domosdoshme; (v) pretendimi për cenim të parimit të dëgjimit të drejtpërdrejtë të palëve është i pabazuar, sepse gjykata e shkallës së dytë shqyrton çështjen vetëm në seancë të trupit gjykues dhe vetëm përjashtimisht ankesa shqyrtohet në seancë gjyqësore në rastet e parapara sipas nenit 190 të LPK-së, dhe, se (vi) gjatë zhvillimit të procedurës, gjykatat e instancës më të ulët kanë shqyrtuar prova të mjaftueshme që kanë vërtetuar shkeljet që i vihen barrë parashtruesit të kërkesës.

Në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së. Veç kësaj, parashtruesi pretendoi se si rrjedhojë e shkeljes të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm po ashtu është shkelur neni 49 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] i Kushtetutës.

Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata  vlerësoi: (i) se Gjykata Supreme ka vlerësuar se pretendimi për cenim të parimit të dëgjimit të drejtpërdrejtë të palëve është i pabazuar, sepse gjykata e shkallës së dytë shqyrton çështjen vetëm në seancë të trupit gjykues dhe vetëm përjashtimisht ankesa shqyrtohet në seancë gjyqësore në rastet e parapara sipas nenit 190 të LPK-së; (ii) se parashtruesit  të  kërkesës  i është dhënë mundësia që të përgjigjet ndaj ankesës së FShMN-së, çka ai edhe e ka shfrytëzuar me parashtresën e  2 tetorit 2014 të dorëzuar në Gjykatën e Apelit; dhe, se, (iii) Gjykata e Apelit nuk ka ndryshuar gjendjen faktike por vetëm ka vlerësuar zbatimin e ligjit.

Në fund, Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 20 dhe 48 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Jashar Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative