Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 160/2022, të 24 gushtit 2022

Nr. të lëndës KI206/22

Parashtruesit: Alush Hoti

Shkarko:

KI206/22, Parashtrues: Alush Hoti, Haxhi Hoti dhe Ruzhdi Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 160/2022, të 24 gushtit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest i pronës

Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për fitimin e të drejtës së pronësisë në bazë të së drejtës së mbajtjes (parashkrimit fitues) dhe shfrytëzimit të pronës për një kohë të gjatë, të cilën ngastër pretendonte se e kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre. Fillimisht, Gjykata Themelore e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës për vërtetimit e të drejtës së pronësisë në bazë të parashkrimit fitues, vendim ky i cili u atakua nga e paditura- Komuna e Suharekës. Në procedurat vijuese, Gjykata e Apelit miratoi si të bazuar ankesën e Komunës së Suharekës, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës. Përfundimisht, pas kërkesës për revizion të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës duke konkluduar se të njëjtit nuk e kanë provuar se e kanë fituar pronësinë në bazë të parashkrimit fitues, sikurse kishin pretenduar se me mbajtje me mirëbesim mbi 20 vite e kishin fituar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese.

Parashtruesit e kërkesës i kontestojnë konstatimet e Gjykatës Supreme para Gjykatës, duke pretenduar  shkelje të drejtave të garantuara me nenin 31  [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, si rezultat i shkeljes të së drejtës për gjykim të drejtë, e cila ndërlidhet me mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta.

Për sa i përket pretendimit për vendim të paarsyetuar gjyqësor, bazuar në parimet e përgjithshme të GjEDNj-së, Gjykata vlerësoi që gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës kanë përfituar nga e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës kanë përfituar nga e drejta për të pranuar vendim të arsyetuar gjyqësor, dhe se ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, prandaj kërkesa në tërësinë e saj shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Alush Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile