KI204/23, Parashtrues: Ibrahim Svarça, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 145/2022, të 5 majit 2023
KI204/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 20 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga padi e parashtruesit të kërkesës kundër Komunës së Prishtinës për kompensimin e demit material, ne emër te qeras dhe atë për periudhën kohore duke filluar nga data 14.03.2008 deri me date 07.03.2011, ne shumën prej 328,121.00 euro, se bashku me kamate të llogaritur sipas arritjeve mujore te qirave për pagesë me normë prej 3.5% ne vit, ku arrin shumen e përgjithshme, ne shumë prej 389,949.07 euro, te gjitha këto me kamatë ligjore nga dita e pranimit te aktgjykimit C.nr.842/2006 datë 14.03.2008, e deri ne përmbarim te dhunshëm te tij. Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata Themelore. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe ishte vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar me revizion Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e paraqitur nga ai.
Gjykata vërejti se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vërejti se fillimisht Gjykata Themelore dhe më pas edhe Gjykata e Apelit edhe Gjykata Supreme, kishin konstatuar se me provat e prezantuara nga parashtruesi i kërkesës dhe të administruara nga gjykata nuk janë vërtetuar bindshëm faktet përkitazi me bazueshmërinë e kërkesëpadisë që kanë të bëjnë me ekzistimin e dëmit të kërkuar si dhe përgjegjësinë e së paditurës për kompensimin e atij dëmi. Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.
Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideroi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u shpall e papranueshme.
Ibrahim Svarça
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile