Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 108/2021, të 21 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI218/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI218/21, Parashtrues: Shemsi Hajdini, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 108/2021, të 21 shtatorit 2021

KI218/21, Aktvendim për papranueshmëri i 26 majit 2022, publikuar më 20 qershor 2022

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, trajtim i pabarabartë, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit të kërkesës përmes Vendimit të KGJK-së, i ishte përfunduar marrëdhënia e punës me rast të arritjes së moshës së pensionimit. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër Vendimit të KGJK-së, duke kërkuar kompensimin e tri pagave mujore për shpërblim jubilar dhe tri pagave mujore për përcjellje në pension. Gjykata Themelore, e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se dispozitat e Marrëveshjes Kolektive në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës, nuk aplikohen për gjyqtar sepse KGJK nuk ka qenë palë nënshkruese e Marrëveshjes Kolektive, andaj edhe nuk mund të krijoj efekte juridike në rastin e parashtruesit të kërkesës, dhe për më tepër në rastin e tij aplikohet Ligji për gjykatat i cili nuk i parasheh këto lloje të kompensimeve për gjyqtarët. Aktgjykimi i lartpërmendur i Gjykatës Themelore, u aprovua nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës, i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se aktgjykimi i kontestuar ka shkelur të drejtën e tij për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 dhe të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.

Lidhur me pretendimet e lartpërmendura të parashtruesit Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Lidhur me pretendimin specifik të parashtruesit se dispozitat e Marrëveshjes Kolektive, respektivisht neni 2 dhe 3 i kësaj të fundit duhej të zbatoheshin edhe në rastin e parashtruesit të kërkesës dhe për më tepër sipas tij në mënyrë analoge duhej të zbatohej Ligji i Punës, Gjykata konstatoi se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të  Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim u deklarua qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit se është dikriminuar në raport me disa kolegë të tij, të cilët sipas parashtruesit ishin kompensuar me rastin e pensionimit, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës përveç pretendimit të lartpërmendur se është trajtuar ndryshe nga kolegët e tij, nuk ka sjellë prova dhe nuk e ka mbështet më tej kërkesën e tij në mbështetje të këtij pretendimi

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Shemsi Hajdini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar