Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 107/2020 i datës 6 prill 2020

Nr. të lëndës KI 106/20

Parashtruesit: Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji “KEDS” Sh.A.

Shkarko:

KI106/20, Parashtruesi i kërkesës: Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji “KEDS” Sh.A., Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 107/2020 i datës 6 prill 2020 

KI106/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 shkurt 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, siguria juridike, kërkesë e papranueshme.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 107/2020] të 6 prillit 2020, duke pretenduar se ky i fundit është  nxjerrë në shkelje të të drejtave të tij të garantuara me  nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se punëtori V.M. kishte qenë i punësuar tek parashtruesi i kërkesës, në pozitën “Përgjegjës për Projekte në Operime”. Punëtori kishte themeluar marrëdhënie pune me parashtruesin e kërkesës më 15 nëntor 2005 deri më 7 maj 2016. Parashtruesi i kërkesës një muaj para skadimit të kontratës me kohë të caktuar, përmes Vendimit nr.106, e njoftoi punëtorin V.M., se kontrata e tij ka përfunduar dhe se e njëjta nuk do të vazhdohet.

Punëtori V.M. kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër Vendimit të lartpërmendur, dhe kjo e fundit përmes Aktgjykimit [C.nr.519/16], refuzoi si të pabazuar padinë e punëtorit V.M., duke arsyetuar se punëtori V.M. nuk kishte 10 vite përvojë pune tek parashtruesi i kërkesës. Pas ankesës së punëtorit V.M, Gjykata Apelit refuzoi ankesën. Pas kësaj  punëtori V.M. parashtroi revizion kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë dhe shkallës së dytë.

Më 6 prill 2020, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 107/2020], e aprovoi si të bazuar revizionin e paraqitur nga punëtori dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit. Me këtë rast, Gjykata Supreme vendosi të (i) detyrohet parashtruesi i kërkesës që punëtorin V.M. ta kthejë në vendin e punës, duke arsyetuar se  Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive duhet të zbatohet edhe për KEDS-in, ngase përveç tjerash në dy nene të kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës dhe punëtorit V.M është bazuar në Marrëveshjen Kolektive. Sipas nenit 10 pika 5 të Marrëveshjes Kolektive të Kosovës kontrata e punës për një periudhë të caktuar, që ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vet kuptueshme, për një periudhë të punësimit më të gjatë se 3 vite, do të konsiderohet si kontratë e lidhur në kohë të pacaktuar

Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës pretendon se vendimi i kontestuar nuk është i arsyetuar dhe për më tepër është tërësisht kundërthënës me praktikën e mëparshme të vet Gjykatës Supreme të Kosovës mbi çështjen e kthimit të punonjësve në vendin e punës.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji “KEDS” Sh.A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri