Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML.nr.49/2019 të 7 marsit 2019 lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.358/2018 të 19 nëntorit 2018 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.927/14, të 15 janarit 2018

Nr. të lëndës KI 122/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI122/19, Parashtruesi i kërkesës: F.M., Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML.nr.49/2019 të 7 marsit 2019 lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.358/2018, të 19 nëntorit 2018 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.927/14, të 15 janarit 2018

KI122/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 9 korrik 2020, i publikuar më 31 gusht 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar,  barazia e armëve, administrimi i provave, mbrojtja në heshtje, moszbulim i identitetit.

Më 15 janar 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë parashtruesin e kërkesës, i cili me qëllim të ndërprerjes së shtatzënisë të dëmtuarës X, dhe si pasojë e dhunës fizike të ushtruar ndaj saj e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Ndërprerje e palejuar e shtatzënisë” në tentativë duke e dënuar me burg në kohëzgjatje prej një (1) viti. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga kjo Gjykatë. Tutje, parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ndër të tjera duke pretenduar se aktgjykimet e kundërshtuara ishin bazuar në dëshminë e palës së dëmtuar, e cila dëshmi ishte në kundërshtim me provat materiale dhe se Gjykata Themelore nuk kishte marrë parasysh faktin që në seancën e shqyrtimit kryesor pranë kësaj ishte mbrojtur në heshtje. Gjykata Supreme, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e kishte refuzuar si të pabazuar duke konstatuar se Gjykata Themelore kishte marrë për bazë edhe provat e tjera, dhe se kishte respektuar të drejtën e mbrojtjes së parashtruesit në heshtje gjatë shqyrtimeve gjyqësore të kësaj Gjykate.

Parashtruesi i kërkesës i konteston këto konstatime para Gjykatës, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ), nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe  nenet 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës i  referohen: (i) administrimit të provave nga gjykata dhe parimit të barazisë së armëve; (ii) mbrojtjes në heshtje; dhe (iii) arsyetimit të vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenin 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së dhe me nenin 7 të DUDNJ-së janë të papranueshme sepse janë qartazi të pabazuara  në baza kushtetuese siç është përcaktuar përmes nenit 47 e 48 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.; dhe (ii) pretendimet për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së, si dhe nenit  54 të Kushtetutës janë të e papranueshme sipas  nenit 48 të Ligjit në lidhje me pikën (d) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në fund, Gjykata në pajtim me Rregullin 32 të Rregullores së Punës dhe duke u bazuar në shkresat e lëndës,  si dhe marrë për bazë ndjeshmërinë e rastit, vlerësoi që me qëllim të mbrojtjes së identitetit të  viktimës dhe të fëmijës së mitur moszbulimi i identitetit të parashtruesit të kërkesës konsiderohet të jetë i domosdoshëm.

 

 

Parashtruesit:

F.M.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim