Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.293/2020, të 10 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 70/21

Parashtruesit: Burhan Tusha

Shkarko:

KI70/21, Parashtrues: Burhan Tusha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml.nr.293/2020, të 10 nëntorit 2020

KI70/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 qershorit 2021, publikuar më 22 qershor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, akuzë penale, aksident trafiku, pranim i fajësisë, heqje dorë nga të drejtat

Parashtruesi i kërkesës ishte përfshirë në një aksident trafiku pasi me automjetin e tij motorik kishte goditur një automjet tjetër me ç’rast disa persona kishin mbetur të lënduar ndërsa, si pasojë e lëndimeve, një person kishte vdekur. Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [P.nr.406/14], shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për vepër penale për të cilën akuzohej, pasi ky i fundit kishte pranuar fajësinë lidhur me veprën penale, dhe e dënoi atë me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e parashtruesit të kërkesës iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 1.200.00 euro. Megjithatë, Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të palëve, përmes Aktgjykimit [PA1.nr.310/2020], e aprovoi ankesën e paraqitur nga Prokuroria Themelore dhe të dëmtuarat si të bazuar me ç’rast ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P.nr.406/14], sa i përket dënimit duke gjykuar parashtruesin e kërkesës me dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej një (1) viti.

Parashtruesi i kërkesës, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [PA1.nr.310/2020] paraqiti kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke theksuar se prokurori i rastit konkret kishte ngritë aktakuzë, pa zbatimin e hetimeve, në kundërshtim me nenin 101 [Fillimi i procedurës penale me fazën e hetimit formal apo ngritjen e aktakuzës] dhe 240 [Gjykimi penal që zbatohet vetëm pas ngritjes së aktakuzës] të Kodit të  Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.293/2020] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë, si të pabazuar, duke arsyetuar se në rastin konkret i dënuari në prezencën e mbrojtësit të tij ka bërë pranimin e fajësisë. Ndërsa sa i përket pretendimit të mbrojtësit e të dënuarit se është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë pa pasur zbatim të hetimeve, Gjykata Supreme theksoi se ky pretendim nuk qëndron ngase në shkresat e lëndës është Aktvendimi për fillimin e hetimeve kundër parashtruesit të kërkesës me shenjen PP/II.nr.846-4/10.

Parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës Kushtetuese se Prokuroria Themelore, ka ngritur aktakuzën [PP/II.nr.846-410] më 4 dhjetor 2014, pa zbatimin e hetimeve, respektivisht Aktvendimi për fillimin e hetimeve ishte nxjerrë pasi ishte ngritur aktakuza, pra më 12 gusht 2015, në kundërshtim me nenin 101 [Fillimi i procedurës penale me fazën e hetimit formal apo ngritjen e aktakuzës] dhe 240 [Gjykimi penal që zbatohet vetëm pas ngritjes së aktakuzës] të KPPRK-së, me ç’rast sipas tij ishin shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ.

Pas shqyrtimi të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata gjeti se pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të garantuar me nenet 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës duhet të deklarohen të papranueshme në tërësi si qartazi të pabazuara sepse këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe kategorinë e pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Burhan Tusha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale