Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 29/2021, të 13 prillit 2021

Nr. të lëndës KI 113/21

Parashtruesit: Bukurije Haxhimurati

Shkarko:

KI113/21, Parashtrues i kërkesës: Bukurije Haxhimurati, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 29/2021, të 13 prillit 2021

KI113/21, Aktgjykim i 20 dhjetorit 2021, publikuar më 13 janar 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, “përgjim retroaktiv i mesazheve tekstuale SMS”, e drejta për privatësi, e drejta për një gjykim të drejtë

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me dënimin e parashtrueses së kërkesës për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit”, pasi që e njëjta, sipas vendimeve të gjykatave të rregullta, kishte pranuar një shumë të caktuar parash që të ushtroj ndikim mbi vendimmarrjen e personave zyrtarë, me qëllim të zbutjes apo lirimit nga dënimi të një personi i cili ishte i dënuar për vepër penale. Lidhur me shpalljen fajtore të parashtrueses së kërkesës, gjykatat e rregullta kishin administruar një numër provash, duke përfshirë (i) leximin e dëshmisë së dëshmitarit “C”; (ii) transkriptet e takimeve të zhvilluara në mes të parashtrueses së kërkesës dhe dëshmitarit “C”; (iii) dëshmitë e dëshmitarëve tjerë dhe prova të tjera materiale; (iv) raportet e përgjimeve; dhe (v) një numër të mesazheve tekstuale SMS, të cilat ishin nxjerrë në mënyrë retroaktive me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjatë procedurave të zhvilluara në gjykatat e rregullta, parashtruesja e kërkesës kishte kontestuar, mes tjerash, provat e shqyrtuara kundër saj, duke përfshirë (i) urdhrin e Gjykatës Themelore që autorizonte marrjen e SMS-ve në mënyrë retroaktive; dhe (ii) leximin e dëshmisë së dëshmitarit “C” të dhënë gjatë fazës hetimore, meqenëse i njëjti ishte shpallur dëshmitar i mbrojtur dhe rrjedhimisht nuk kishte dëshmuar në shqyrtimin kryesor, por ishte lexuar deklarata e tij. Gjykata e Apelit, respektivisht Gjykata Supreme, kishin hedhur poshtë këto pretendime, duke e vërtetuar dënimin e parashtrueses së kërkesës.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendoi se, asaj i ishte cenuar e drejta për jetë private e garantuar me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës lidhur me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës lidhur me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse, mes tjerash: (i) Aktgjykimi i Gjykatës Themelore përkitazi me dënimin e saj ishte bazuar në prova të cilat ishin të paligjshme, konkretisht, SMS-ët që ishin nxjerrë në mënyrë retroaktive; dhe (ii) gjatë shqyrtimit kryesor nuk i ishte mundësuar marrja në pyetje e dëshmitarit “C”.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, fillimisht theksoi se përgjimi i telefonave dhe SMS-ve konsiderohet “ndërhyrje” në të drejtën për “jetë private” dhe “korrespondencë”. Megjithatë, sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një “ndërhyrje” e tillë arsyetohet nëse e njëjta është (i) “e përcaktuar në ligj”; (ii) ndjek një “qëllim legjitim”; dhe (iii) nëse është “proprocionale”. Në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret, Gjykata gjeti se nxjerrja e SMS-ve në mënyrë retroaktive, përkatësisht urdhri i një gjykate që autorizon retroaktivisht masa të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, ishte në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, pasi që një urdhër i tillë, vlen vetëm nga “data e lëshimit” të vendimit të gjykatës përkatëse dhe jo në mënyrë retroaktive. Për pasojë, Gjykata konstatoi se “ndërhyrja përkatëse” në jetën private të parashtrueses së kërkesës, nuk ishte e “përcaktuar në ligj”, përkatësisht ishte në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, dhe rrjedhimisht, nuk ishte më tej i nevojshëm vlerësimi nëse në rrethanat e rastit konkret, mund të ketë pasur “qëllim legjitim” apo “proporcionalitet”. Për pasojë, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi që, në rrethanat e rastit konkret, vendimet e gjykatave të rregullta kishin rezultuar në shkeljen e të drejtës së privatësisë së parashtrueses së kërkesës, në kundërshtim me garancitë e nenit 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, në trajtimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata theksoi se, konstatimi i shkeljes të së drejtës për privatësi, nuk rezulton domosdoshmërisht edhe në shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të arritur në një konstatim të tillë, Gjykata duhet të vlerësoj, nëse prova/dëshmia përkatëse, ka qenë e “vetme” dhe/ose “vendimtare” në përcaktimin e fajësisë, përkatësisht dënimit të parashtrueses së kërkesës nga gjykatat e rregullta. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerësoi se përgjimet/leximi retroaktiv bazuar në një vendim të paligjshëm të Gjykatës Themelore, nuk ishin “vendimtare” për shpalljen fajtore të parashtrueses së kërkesës. Kjo sepse, aktgjykimet e gjykatave të rregullta ishin bazuar, mes tjerash, edhe në transkriptet e takimeve të zhvilluara ndërmjet parashtrueses së kërkesës dhe dëshmitarit “C”; dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë; përgjime të nxjerra bazuar në urdhra të gjykatës përkatëse e të cilat nuk ishin kontestuar nga parashtruesja e kërkesës dhe prova të tjera materiale. Për më tepër dhe përkitazi me dëshminë e dëshmitarit “C”, Gjykata gjithashtu theksoi se, bazuar në shkresat e lëndës, (i) parashtruesja e kërkesës dhe mbrojtësit e saj ishin të ftuar gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit “C” në një fazë të procedurës, por kishin refuzuar që të marrin pjesë; dhe se (ii) dëshmia e dëshmitarit “C”, e lexuar në shqyrtimin kryesor, gjithashtu nuk kishte qenë provë e “vetme” dhe/ose “vendimtare” për shpalljen fajtore të parashtrueses së kërkesës.

Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk kishte shkelur garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, andaj i njëjti, sa i përket dënimit të parashtrueses së kërkesës, mbetet në fuqi. Ndërsa, përkitazi me konstatimin e shkeljes së të drejtës së privatësisë së parashtrueses së kërkesës në kundërshtim me garancitë e përcaktuara në nenin 36 të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, marrë parasysh që Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencën e akordimit të kompensimit, bazuar në praktikën e saj gjyqësore, kjo e fundit sqaroi se parashtruesja e kërkesës mund të shfrytëzoj mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të saj, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin e dëmit material, si rezultat i shkeljes së të drejtës për jetë private të garantuar me nenin 36 të Kushtetutës dhe nenin 8 të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Bukurije Haxhimurati

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 36 - E Drejta e Privatësisë

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale