Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 272/19, të 18 shtatorit 2019

Nr. të lëndës KI 191/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI191/19, Parashtruesi i kërkesës: Kadri Rexhepi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 272/19, të 18  shtatorit 2019

KI191/19, Vendim për refuzim, i miratuar më 15 korrik 2020, publikuar më 24 gusht 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim për refuzim me procedurë të shkurtër,  kërkesë e pakompletuar.

Më 21 mars 2018, Prokuroria Themelore në Ferizaj parashtruesin e kërkesës e kishte akuzuar për arsye se në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale “mashtrimi”, nga paragrafi 5 i nenit 335 në lidhje me paragrafin 1 të nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës përmes mbrojtësit të tij kishte parashtruar kërkesë për hedhjen e Aktakuzës  në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjykata Themelore dhe ajo Apelit kërkesën për hedhje te aktakuzës dhe ankesën e parashtruesit të kërkesës, respektivisht e kishin refuzuar si të pabazuar. Në një datë të paspecifikuar parashtruesit të kërkesës i ishte shqiptuar masa e paraburgimit. Bazuar në shkresat e lëndës parashtruesi i kërkesës më 30 maj 2019 ishte vendosur në paraburgim. Në bazë të shkresave të lëndës, të cilat nuk ishin të kompletuara para Gjykatës Kushtetuese rezulton që Gjykata Themelore kishte vazhduar paraburgimin e parashtruesit të cilit, ndaj Aktvendimit të së cilës parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë dhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës, përmes përfaqësuesit të tij ligjor para Gjykatës Kushtetuese kishte specifikuar se konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 272/19, të 18  shtatorit 2019 përkitazi me vazhdimin e paraburgimit të tij, por nuk specifikon nëse i njëjti i konteston edhe vendimet përkitazi me procedurën për hudhje te aktakuzës. Gjykata pas dy kërkesave të saja për saktësimin e kërkesës në lidhje me përfaqësimin e parashtruesit të kërkesës para Gjykatës,  më 10 shkurt 2020 pranoi autorizimin e vlefshëm për përfaqësimin e  tij nga një avokat nga Ferizaj.  Rrjedhimisht, Gjykata marrë për bazë faktin që parashtruesi i kërkesës vetëm specifikonte se e konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke përmendur çështjen e parashkrimit të veprës penale për të cilën akuzohet, por nuk ofron përmbledhje të qartë të fakteve lidhur me procedurat para gjykatave, nuk kishte mbështetur kërkesën e tij me të gjithë dokumentacionin mbështetës në aspekt procedural dhe përmbajtësor, si dhe nuk kishte saktësuar se cila është zgjidhja e kërkesës së tij e kërkuar nga kjo Gjykatë, më 5 maj 2020 i dërgoi përfaqësuesit ligjor kërkesë për plotësimin e kërkesës.  Në bazë të fletëkthesës përfaqësuesi ligjor kishte pranuar shkresën e Gjykatës më 8 maj 2020, megjithatë  Gjykata deri në ditën e miratimit të këtij Vendimi nuk ka  pranuar përgjigje në shkresën e Gjykatës të 5 majit 2020.

Bazuar në konstatimet e lartcekura, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit, nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mos-kompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç është kërkuar nga Gjykata bazuar në nenin 22.4 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (h) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 35 (5) të Rregullores së punës konstatoi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Kadri Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim