Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019

Nr. të lëndës KI 239/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI239/19, Parashtruesi i kërkesës: Hakif Veliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019

KI239/19, Aktvendim për Papranueshmëri, vendosur më 10 shkurt  2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale,  kërkesë për masë të përkohshme, kërkesë e papranueshme, parimi i kontradiktoritetit, parimi i barazisë së armëve, mungesë e vendimit të arsyetuar gjyqësor, prezumimi i pafajësisë.

  1. Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës, në vitin 2015 nga Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: PSRK) u akuzua se në bashkëkryerje, në cilësinë e zyrtarit të Prokurimit në Universitetin e Prishtinës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë e përkthimit të librave (kompania ISN), me të cilin Universiteti kishte lidhur kontratë, kishte “falsifikuar kontratën origjinale” dhe në vijim ishte ndryshuar kontrata, e cila i kishte mundësuar kompanisë përfitim më të madh financiar për sasinë e njëjtë të shërbimit. Më 18 dhjetor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda përmes Aktgjykimit nr. 432/15, e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale “mashtrim në detyrë “ në bashkëkryerje nga neni 341, paragrafi 3 në lidhje me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, dhe për pasojë e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, duke ia zëvendësuar dënimin me burgim me dënim me gjobë në shumë prej 10,000 (dhjetëmijë) euro. Në vijim, Gjykata Themelore po ashtu obligoi të pandehurit, përfshirë edhe parashtruesin e kërkesës që Universitetit të Prishtinës t’ia kompensojë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70.131, 27 euro. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për (i) shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal; (ii) për shkak të vendimit për dënim; dhe (iii) përkitazi me vendimin për kërkesën pasurore juridike përkitazi me Universitetin e Prishtinës. Ndërsa PSRK, përmes ankesës së saj kishte kërkuar ndryshimin e vendimit mbi dënimin. Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [PAKR nr. 27/2018] e aprovoi ankesën e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës në pjesën përkitazi me kërkesën pasurore juridike të kërkesës, duke e udhëzuar Universitetin e Prishtinës, në cilësi të të dëmtuarës në kontest civil, ndërsa pjesën tjetër të ankesës e refuzoi si të pabazuar. Gjykata e Apelit po ashtu kishte aprovuar ankesën e PSRK-së përkitazi me vendimin për dënim, duke e dënuar parashtruesin e kërkesës me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti. Si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, përmes të cilës, ndër të tjera ai ishte ankuar për mosmbajtjen e seancës së Kolegjit të Apelit, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Pml. nr. 238/2018, të 5 tetorit 2018 e aprovoi si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, dhe e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen e ktheu për rivendosje në të njëjtën gjykatë. Në procedurë të rivendosjes, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit PAKR. nr. 528/2018, të 16 prillit 2019 e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2017. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë pretendoi: (i) shkelje esenciale të ligjit të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1, nënpragrafi 1.12 i KPPK-së; dhe (ii) shkelje të ligjit penal. Më 30 shtator 2019, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 253/2019] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.
  2. Parashtruesi i kërkesës në lidhje me konstatimet e lartcekura të gjykatave të rregullta, pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ). Parashtruesi i kërkesës, në thelb pretendoi  se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, në rastin e tij janë cenuar: Parimi i kontradiktoritetit dhe parimi i barazisë së armëve në procedurë, (i) si rezultat i mosnjoftimit të tij për shkresën e Prokurorit të Shtetit dhe (ii) parimi i barazisë së armëve për shkak të mospranimit të provave nga gjykata e rregullta; II. Parimi i sigurisë juridike të lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor; si dhe III. Parimi i prezumimit të pafajësisë dhe mungesës se “mbrojtjes së veçantë”.
  3. Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atij të barazisë së armëve, mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe parimi i prezumimit të pafajësisë dhe mungesës se “mbrojtjes së veçantë”, parime dhe garanci këto që janë të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme, sepse: I. Pretendimi përkitazi me (i) shkeljen e parimit të kontradiktoritetit dhe atë të barazisë së armëve në procedurë si rezultat i mosnjoftimit të tij për shkresën e Prokurorit të Shtetit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 47 e 48 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës; ndërsa pretendimi për (ii) shkelje të parimit të barazisë së armëve për shkak të mospranimit të provave nga gjykatat e rregullta është i papranueshëm si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës; Pretendimi për shkelje të parimit të sigurisë juridike të lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes nenit 47 e 48 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës; dhe III. Pretendimi për cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe “mbrojtjes së veçantë” është i papranueshëm si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hakif Veliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale