Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019

Nr. të lëndës KI 230/19

Parashtruesit: Albert Rakipi

Shkarko:

KI230/19, Parashtruesi i kërkesës: Albert Rakipi, Vlerësim i kushtetutshmërisë Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019

KI230/19, Aktgjykim, vendosur më 9 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale,  kërkesë për mbajtje të seancës dëgjimore publike, kërkesë e pranueshme, parimi i kontradiktoritetit, parimi i barazisë së armëve, mungesë e vendimit të arsyetuar gjyqësor, person zyrtar, përdorimi i analogjisë në të drejtën penale, shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

  1. Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës, në vitin 2015 nga Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: PSRK) u akuzua se në bashkëkryerje, si drejtor i një kompanie [kompania ISN] në Republikën e Shqipërisë kishte fituar kontratën me Universitetin e Prishtinës për përkthimin e disa librave, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për kompaninë, kishte “falsifikuar kontratën origjinale”, ku më pas ishte bërë edhe ndryshimi i kontratës, i cili i mundësoi kompanisë përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit. Më 18 dhjetor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda përmes Aktgjykimit nr. 432/15, pas konstatimit se parashtruesi i kërkesës e kishte statusin e personit zyrtar, e shpalli atë fajtor për kryerjen e veprës penale “mashtrim në detyrë “ në bashkëkryerje nga neni 341, paragrafi 3 në lidhje me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, dhe për pasojë e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, duke ia zëvendësuar dënimin me burgim me dënim me gjobë në shumë prej 10,000 (dhjetëmijë) euro. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës, dy të dënuarit tjerë, si dhe PSRK kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike kishte pretenduar se (i) Gjykata Themelore në mënyrë të paligjshme kishte refuzuar administrimin e korrespodencës së një e-maili, të cilin ai e kishte propozuar si provë materiale (ii) se ai nuk e kishte statusin e personit zyrtar; dhe (iii) shkelje të dispozitave të procedurës penale për arsye se kërkesa pasurore juridike nuk ishte dorëzuar nga personi kompetent. Ndërsa PSRK, përmes ankesës së saj kishte kërkuar ndryshimin e vendimit mbi dënimin. Gjykata e Apelit, ndër të tjera, përmes Aktgjykimit [PAKR nr. 27/2018] të 2 majit 2018 pjesërisht aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës vetëm përkitazi me kërkesën pasurore juridike, duke e udhëzuar Universitetin e Prishtinës në kontest civil për realizmin e kësaj kërkese, ndërsa në tërësi e aprovoi ankesën e PSRK-së duke e ndryshuar vendimin mbi dënimin, dhe rrjedhimisht parashtruesit të kërkesës i shqiptoi atij dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti. Si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, përmes të cilës, ndër të tjera ai ishte ankuar për mosmbajtjen e seancës së Kolegjit të Apelit, dhe sipas tij atij i ishte mohuar prezantimi i provave të reja, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Pml. nr. 238/2018,  të 5 tetorit 2018 e aprovoi si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, dhe e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen e ktheu për rivendosje në të njëjtën gjykatë. Në procedurë të rivendosjes, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit PAKR. nr. 528/2018, të 16 prillit 2019 e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2017. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte (i) pretenduar cenim të barazisë së armwve dhe parimit të kontradiktoritetit si rezultat i mosadministrimit të korrespodencës elektronike si provë materiale nga Gjykata Themelore; (ii) interpretim të gabuar të ligjit dhe shkeljes së parimit të ndalimit të analogjisë në të drejtën penale,  si rezultat i cilësimit të tij si person zyrtar. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Pml. 253/2019, të 30 shtatorit 2019 e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimet e Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2017 dhe asaj të Apelit, të 16 prillit 2019.  Gjykata Supreme vërtetoi qëndrimin e gjykatave të shkallës më të ulët përkitazi me mosparovimin e tyre për administrimin e korrespodencës elektronike si provë materiale dhe interpretimin e tyre përkitazi me cilësimin e parashtruesit të kërkesës si person zyrtar, i cili për pasojë ishte gjykuar për kryerjen e veprës penale mashtrim në detyrë.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës në lidhje me konstatimet e lartcekura të gjykatave të rregullta, në mënyrë specifike asaj të Gjykatës Supreme pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me të jenë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ). Parashtruesi i kërkesës,  në thelb pretendoi shkelje të cenimit të parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve, si rezultat i mosadministrimit të korrespodencës elektronike si provë materiale dhe (ii) interpretim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, të cilat sipas tij duke përdorë analogjinë, kishin gabimisht kishin interpretuar se ai e kishte statusin e personit zyrtar. Në vijim parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi mbajtjen e seancës dëgjimore publike në Gjykatë.

 

  1. Gjykata gjatë vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës konstatoi se parashtruesi i kërkesës (i) është palë e autorizuar, sepse e dorëzoi kërkesën në cilësinë e individit me qëllim të mbrojtjes së të drejtave; (ii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë për të cilat pretendon se i janë shkelur; (iii) ka dorëzuar kërkesën e tij brenda afatit; (iv) se kërkesa nuk është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht konkludoi se kërkesa e parashtruesit është e pranueshme.

 

  1. Gjykata, në vijim, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta gjatë cilësimit të tij si person zyrtar, vendosi që këtë pretendim ta shqyrtojë në kuadër të së drejtës së tij për vendim të arsyetuar gjyqësore, e cila po ashtu është pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  1. Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Gjykata përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atij të barazisë së armëve dhe mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, parime dhe garanci këto që janë të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së konstatoi si në vijim: (i) Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për cenim të parimit të “barazisë së armëve” dhe “parimit të kontradiktoritetit” si rezultat i mospranimit të provës së propozuar nga gjykatat e rregullta,  Gjykata konstatoi se janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit të kërkesës se atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; dhe (ii) sa i përket mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata konstatoi se me nxjerren e Aktgjykimit nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019, Gjykata Supreme ka dështuar të arsyetoj pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe nuk ka arsyetuar vendimin e saj përkitazi me cilësimin e tij si person zyrtar.
Parashtruesit:

Albert Rakipi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale