Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 243/2018 të 12 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 42/19

Parashtruesit: Muhamet Prapashtica

Shkarko:

KI42/19, Parashtrues: Muhamet Prapashtica; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 243/2018 të 12 nëntorit 2018

KI42/19, Aktvendim për papranueshmëri i 10. nëntorit 2020, publikuar më 3 dhjetor 2020 

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident të ndodhur në vitin 2008, në njërën nga pikat e shitjes së kompanisë „M-Gas Petroll“, pikë kjo për të cilën, bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës, si pronarë i firmës „M-Gas Petroll“, nuk e kishte poseduar dokumentacionin e duhur. Aksidenti kishte rezultuar në të vdekur, të lënduar dhe dëme materiale.

Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, duke përcaktuar gjithashtu që kjo vepër penale ishte kryer nga pakujdesia, por, duke pasur parasysh faktin se e njëjta rezultoi me vdekjen e një ose më shumë personave, e dënoi parashtruesin e kërkesës me 4 (katër) vjet dhe 10 (dhjetë) muaj burg. Fajësia e të akuzuarit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, u vërtetua gjithashtu përmes (i) Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin u refuzuan si të pabazuara të gjitha pretendimet në lidhje me shkeljet e dispozitave të procedurës penale dhe ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke ndryshuar kështu Aktgjykimin e gjykatës së instancës më të ulët vetëm në lidhje me vendimin për dënimin, përkatësisht uljen e tij në vetëm 2 (dy) vjet burgim; dhe (ii) Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin gjithashtu u refuzuan si të pabazuara të gjitha pretendimet në lidhje me shkeljet e dispozitave të procedurës penale dhe ligjit penal. Konstatimet e Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar shkelje (i) të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke u fokusuar në zbatimin dhe interpretimin e gabuar të ligjit penal dhe të procedurës penale; dhe (ii) nenit 23 [Dinjiteti i Njeriut] të Kushtetutës, pa një arsyetim të qartë dhe adekuat.

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata i trajtoi duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi bazën e të cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të konsoliduar tashmë të Gjykatës, pretendimet që ndërlidhen me interpretimin e ligjit dhe vërtetimin e fakteve, në parim, nuk janë çështje që hyjnë në kuadër të juridiksionit të Gjykatës. Gjykata, megjithatë, në rrethanat e këtij rasti, vlerësoi secilin pretendim të parashtruesit të kërkesës, me theks të veçantë në pretendimet për shkelje të nenit 7 (Detyrimi i përgjithshëm për vërtetimin e plotë dhe të saktë të fakteve) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe nenit 20 (Lidhja shkakore) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe konstatoi që të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Sipas vlerësimit të Gjykatës, gjykatat e rregullta në këtë rast, nuk kishin “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” duke rezultuar “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës. Në fakt, procedura në tërësinë e saj, ishte e drejtë dhe jo arbitrare. Ndërsa, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 23 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të konsoliduar tashmë të Gjykatës, pretendimet e paarsyetuara dhe pa mbështetje në fakte dhe argumente përkatëse, nuk mund të shqyrtohen nga Gjykata, dhe për pasojë, bazuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës, janë gjithashtu qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Prandaj, Gjykata në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi që kërkesa është e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Muhamet Prapashtica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri