Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML.nr.241/2017, të 5 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 14/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI14/18, Parashtrues, Hysen Kamberi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML.nr.241/2017, të 5 dhjetorit 2017

KI14/18, Aktgjykim i 15 janarit 2020, publikuar më 3 shkurt 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, marrja në pyetje e dëshmitarëve,  kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtave kushtetuese

Esenca e rastit përkatës ndërlidhet me pamundësinë e të akuzuarit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës ose/dhe mbrojtjes së tij, për të marrë në pyetje dëshmitarët kundër tij, në ndonjë fazë të procedurës penale, përkundër garancisë për një të drejtë të tillë të përcaktuar përmes paragrafit 4 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me pikën d të paragrafit 3 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  Rrethanat e rastit konkret, ngërthejnë një proces penal kundër parashtruesit të kërkesës lidhur me veprën penale të trafikimit me qenie njerëzore, për të cilën parashtruesi i kërkesës fillimisht, përmes një vendimi të Gjykatës së Qarkut, ishte shpallur fajtor, duke u dënuar me 3 (tri) vite burgim, vendim ky i cili përmes Gjykatës Supreme, ishte kthyer në rigjykim. Në gjykimin e ri, parashtruesi i kërkesës ishte shpallur sërish fajtor për të njëjtën vepër penale, duke u dënuar më 2 (dy) vite burgim, përmes një Aktgjykimi të Gjykatës Themelore të vitit 2016, dhe i cili më pas u vërtetua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme në vitin 2017.

Fajësia e të akuzuarit ishte vërtetuar përmes deklaratave të lexuara nga 4 (katër) të dëmtuara/dëshmitare dhe një dëshmitari tjetër, dëshmitarë këta të cilët, në asnjë fazë të procedurës, i akuzuari dhe/ose mbrojta e tij nuk kanë patur mundësinë të i marrin në pyetje. Gjykatat e rregullta iu kishin referuar edhe dëshmisë së një të akuzuari tjetër, përkatësisht të akuzuarit S.R, të dhënë në shqyrtim gjyqësor, duke theksuar se vendimet e tyre i kishin bazuar “pjesërisht” edhe në dëshminë e këtij të fundit.

Për të vlerësuar nëse një proces gjyqësor dhe i cili është zhvilluar pa praninë e dëshmitarëve në shqyrtim gjyqësor por është bazuar vetëm në leximin e deklaratave të të njejtëve, në tërësinë e tij, ka qenë i drejtë, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me mungesën e dëshmitarëve në shqyrtim gjyqësor. Në këtë aspekt, Gjykata gjithashtu shtjelloi parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e të njohura përmes testit Al-Khawaja dhe Tahery, bazuar në të cilin, në rrethana të tilla, duhet të trajtohen tri çështjet në vijim: (i) nëse ka pasur arsye të qëndrueshme për mos-pjesëmarrjen e dëshmitarit në shqyrtim gjyqësor dhe për pasojë, pranimit të dëshmive jashtëgjyqësore të dëshmitarëve në mungesë si dëshmi në gjykatë; (ii) nëse dëshmia e dëshmitarit në mungesë është baza e “vetme” ose “vendimtare” për dënimin e të akuzuarit; dhe (iii) nëse ka “faktor të mjaftueshëm kundërbalancues”, duke përfshirë garancione të forta procedurale, në mënyrë që të kompensohet disazvantazhi i mbrojtjes si rezultat i pranimit të dëshmisë jashtëgjyqësore. Gjykata gjithashtu shtjelloi dhe sqaroi raportin dhe radhën e shqyrtimit të tri çështjeve të lartcekura bazuar në praktikën gjyqësore relevante të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas, aplikoi këto parime, të mbështetur edhe me praktikë gjyqësore përkatëse, në rrethanat e rastit konkret.

Lidhur me kriterin e parë të testit,  Gjykata,  bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi se arsyet që kanë rezultuar në mospjesëmarrjen e një dëshmitari në shqyrtim gjyqësor duhet të jenë të qëndrueshme dhe se vlerësimi i kësaj qëndrueshmërie, është pyetje paraprake, dhe rrjedhimisht është çështja e parë që duhet të shqyrtohet nga një gjykatë. Në këtë aspekt, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se, nuk ka një arsye të qëndrueshme për mospraninë e dëshmitarëve në shqyrtimin gjyqësor, dhe se rrjedhimisht vetëm leximi i deklaratave të dhëna më parë, bazuar në arsyetimin se dëshmitarët “nuk gjinden në Kosovë” dhe “nuk dihet vendndodhja e tyre”, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe siç është shtjelluar detajisht në këtë Aktgjykim, nuk përmbush kriteret e përcaktuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe rrjedhimisht kriteri i parë testit Al-Khawaja dhe Tahery nuk është përmbushur në rrethanat e rastit.

Lidhur me kriterin e dytë të testit të lartcekur, përkatësisht nëse dëshmia e dëshmitarit në mungesë është baza e “vetme” ose “vendimtare” për dënimin e të akuzuarit,  Gjykata konstatoi se dëshmitë e dëshmitarëve që nuk kanë marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor, janë dëshmi  të “vetme”, “vendimtare” dhe “bartin peshë të konsiderueshme” në dënimin e të akuzuarit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, posaçërisht duke marrë parasysh faktin se dëshmitë tjera në proces gjyqësorë, e veçanërisht ajo e të akuzuarit S.R, dhe e cila, bazuar në vet vendimet e gjykatave vetëm “pjesërisht” kishte ndikuar vendimet e tyre, nuk bartë peshë “inkriminuese”.  Gjykata gjithashtu sqaroi, se përtej praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, edhe vet kodet procedurale të Republikës së Kosovës, e të aplikuar në rrethanat e rastit konkret, nuk mundësojnë dënimin e një të akuzuari duke u bazuar në një provë vendimtare dhe e cila nuk mund të kundërshtohet nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij në ndonjë fazë të procedurës penale. Për më tepër që, gjykatat e rregullta asnjëherë nuk kishin trajtuar dhe as arsyetuar këtë çështje në vendimet e tyre. Rrjedhimisht as kriteri i dytë i testit Al-Khawaja dhe Tahery nuk është përmbushur në rrethanat e rastit.

Në fund, dhe lidhur me kriterin e tretë të testit, përkatësisht ekzistencën e “faktorëve të mjaftueshëm kundërbalancues”, Gjykata sqaroi se gjykatat e rregullta nuk kishin ndërmarrë dhe as aplikuar asnjë masë alternative për të siguruar besueshmërinë shtesë të dëshmive/deklaratave të lexuara të të dëmtuarve/dëshmitarëve në mungesë të tyre në shqyrtim gjyqësor, dhe se të njëjtat gjithashtu në asnjë mënyrë nuk kishin sqaruar raportin në mes dëshmive të dëshmitarëve në mungesë dhe provave tjera inkriminuese, dhe për më tepër, nuk kishin ndërmarrë asnjë masë procedurale, përfshirë arsyetim shtesë, e cila do të mund të kishte kompenzuar disavantazhin e krijuar për të akuzuarin, përkatësisht parashtruesin e kërkesës, në pamundësi për të marrë në pyetje në mënyrë të drejtëpërdrejtë dëshmitarët kundër tij. Rrjedhimisht as kriteri i tretë i testit Al-Khawaja dhe Tahery nuk është përmbushur në rrethanat e rastit.

Në këtë aspekt, Gjykata sqaroi se në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi [PML.nr.241/2017] e 5 dhjetorit 2017 i Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr.55/2017] e 13 korrikut 2017 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [P.nr.162/2004 PR1] e 2 dhjetorit 2016 të Gjykatës Themelore, ishin nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të garantuara përmes paragrafit 4 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me pikën d të paragrafit 3 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse përkundër këtyre garancive, dëshmitarët kundër të akuzuarit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, nuk kanë marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor dhe parashtruesi i kërkesës dhe/ose mbrojtja e tij, në asnjë fazë të procedurës penale, nuk kanë patur mundësinë të marrin në pyetje dëshmitarët kundër tij, për më tepër që, vendimet e gjykatave të rregullta, në rrethanat e rastit konkret, dështojnë të i përmbushin të të tri kriteret e testit të njohur si Al-Khawaja dhe Tahery.

Parashtruesit:

Hysen Kamberi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale