Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 174/22, të 23 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI182/22

Parashtruesit: Valdrin Beqiri

Shkarko:

KI182/22, Parashtrues: Valdrin Beqiri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 174/22, të 23 qershorit 2022

KI182/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 janarit 2023, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, paanshmëria e gjykatës, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar, mosshterim substancial

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ngritjen e propozimit për ndëshkim për parashtruesin e kërkesës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” nga nënparagrafi 5 i paragrafit 1 të nenit 179 dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 374, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vite e 6 (gjashtë) muaj dhe dënimin plotësues, marrje e sendeve. Më pas, pas paraqitjes së ankesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte kthyer rastin në rigjykim. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e dënoi me burgim prej 9 (nëntë) vite e 6 (gjashtë) muaj. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit me të cilin ishte shpallur fajtor. Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Më pas, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të lartpërmendura. Gjykata Supreme miratoi kërkesën dhe lëndën e ktheu në rigjykim. Në procedurën e tretë para Gjykatës Themelore, e njëjta shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës, duke e dënuar për veprën penale për të cilën akuzohej me burgim prej 5 (pesë) vite e 2 (dy) muaj. Pas paraqitjes së ankesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim për të herë të tretë, kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vite e 6 (gjashtë) muaj. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër këtij Aktgjykimi. Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën dhe e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të instancave më të ulëta. Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës në mënyrë specifike konteston vetëm procedurën e tretë të rigjykimit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës, pretendon se përmes vendimeve të lartpërmendura i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar në thelb (i) se të njëjtit nuk janë të arsyetuar mjaftueshëm si dhe (ii) pretendimin për cenimin e parimit të paanshmërisë, në rastin konkret të Gjykatës së Apelit.

Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, konstatoi se vendimet e gjykatave të rregullta përmbajnë arsyetim të mjaftueshëm  dhe sqaronin me saktësi  të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, prandaj Gjykata i deklaroi si pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese sepse i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, për shkak të paanshmërisë së Gjykatës së Apelit në rastin konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës këtë pretendim nuk e ka ngritur para asnjë instance gjyqësore, dhe rrjedhimisht konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar  mjetet efektive juridike.

Parashtruesit:

Valdrin Beqiri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale