Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës E. Rev. nr. 50/2019, të 9 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 86/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI 86/20, Parashtrues: Kompania „Cosmonte Foods“ sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës E.Rev.nr. 50/2019, të datës 9 janar 2020

KI 86/20, Aktvendim për papranueshmëri i 18 shkurtit 2021, i publikuar më 26 mars 2021

Fjalët kyç: person juridik, e drejta e përdorimit të markës tregtare, aktvendim për papranueshmëri

Thelbi i kontestit ka të bëjë me çështjen se cila prej  dy kompanive, “Cosmonte Foods” sh.p.k, apo “Birra Prishtina” sh.p.k., kanë të drejtë ta përdorin markën e mbrojtur tregtare “Birra Prishtina”. Në lidhje me këtë kontest, në gjykatat e rregullta u zhvilluan dy procedura gjyqësore të iniciuara nga kompania “Cosmonte Foods,” sh.p.k., e cila në këtë Gjykatë paraqitet si parashtrues i kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës përmes një kërkesëpadie kërkoi që të vërtetohej që kompania e paditur “Birra Prishtina” sh.p.k., duke përdorur markën tregtare “Birra Prishtina” ka shkelur markën e tij tregtare të regjistruar me numrin 15602, të 24 korrikut 2015, ashtu që produktet e saj i prodhoi dhe shpërndau në treg me emrin e kësaj marke  tregtare”.

Gjatë procedurave gjyqësore, gjykatat e rregullta arritën në përfundimin se e paditura  nuk e kishte shkelur të drejtën e përdorimit të markës tregtare, dhe se bëhej fjalë për dy marka të ndryshme që mbajnë emrin e njëjtë.

Parashtruesi iu drejtua Gjykatës duke pretenduar se aktgjykimet dhe vendimet e kontestuara  shkelin të drejtat kushtetuese të garantuara me nenin 3 dhe nenin 24, pika 4 të Kushtetutës, nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenin 10 të DUDNJ-së.

Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat, me aktgjykimet dhe aktvendimet, kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sepse në kohën kur paditësja ka ushtruar padi me dt.22.08.2017, nuk e ka pasur të regjistruar në organet kompetente markën tregtare. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se palët në procedurë nuk janë trajtuar barabarësish, dhe se gjykatat nuk kanë shqyrtuar provat dhe faktet që ka ofruar paditësja-ankuesja”. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës i referohet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KI.nr.18/16.

Pasi që i analizoi pretendimet ankimore, Gjykata arriti në përfundimin se gjykatat e rregullta kanë deklaruar mjaft qartë arsyet pse kërkesëpadia, ankesa dhe revizioni i parashtruesit të kërkesës  janë refuzuar si të pabazuara. Prandaj, Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës se gjykatat e rregullta nuk ofruan “arsye bindëse dhe të ndërtuara mirë ligjërisht për refuzimin e pretendimit të tij”, i konsideron si të pabazuara

Prandaj, Gjykata e hedh poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar në baza  kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Kompania “Cosmonte Foods” sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile