Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev.nr. 13/2020, të 6 prillit 2020

Nr. të lëndës KI 116/20

Parashtruesit: N.T.Sh. “Edita-S.O.K”

Shkarko:

KI116/20, Parashtruesi i kërkesës: N.T.Sh. “Edita-S.O.K”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev.nr. 13/2020, të 6 prillit 2020

KI116/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 shkurt 2021, publikuar më 03 mars 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, interpretim i gabuar i ligjit, kërkesë e papranueshme.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin [E. Rev.nr.13/2020] e 6 prillit 2020 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin [Ae.nr. 186/2018] e 21 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [IV.EK.C.nr.105/16] e 8 qershorit 2018 të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një Kontratë të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte lidhur me “ARS Beton” sh.p.k, për shitblerjen e një makine/bageri. Bazuar në këtë Kontratë, “ARS Beton” sh.p.k., ishte obliguar që fillimisht, deri më 15 dhjetor 2009, dhe më pas, sipas marrëveshjes në mes palëve, deri 24 dhjetor 2012, t’i kompenzojë parashtruesit të kërkesës shumën e kontraktuar. Marrë parasysh që kjo nuk kishte ndodhur, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi për kthim borxhi në Gjykatën Themelore. Kjo e fundit, kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar. Përmes ankesës në Gjykatën e Apelit, ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se rrjedhja e afateve të parashkrimit në këtë rast ishte ndërprerë, marrë parasysh faktin se një pjesë e pagesës ishte bërë më 24 dhjetor 2012, ndërsa më 2 korrik 2018, parashtruesi i kërkesës përmes një deklarate kishte pranuar borxhin. Këtë deklaratë, parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar në Gjykatën e Apelit, përmes një parashtrese gjatë kohës kur ankesa ishte në shqyrtim e sipër. Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke theksuar gjithashtu që afatet për paraqitjen e padisë së tij ishin parashkruar, për më tepër që, deklarata përkatëse për pranimin e borxhit e dorëzuar në Gjykatë të Apelit, nuk i përmbushte kushtet e përcaktuara përmes nenit 180 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, për tu pranuar si provë. Gjykata Supreme konfirmoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, duke refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar se të njëjtat janë në kundërshtim me të drejtat të tij të garantuara me  nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke theksuar, ndër të tjera, se Gjykata e Apelit, kishte refuzuar plotësimin e ankesës së tij, në kundërshtim me nenin 180 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ndërsa në të kundërtën do të vërtetohej se rrjedhja e afateve të parashkrimit bazuar në nenin 387 të Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i datës 30 mars 1978, ishte ndërprerë, dhe për pasojë, padia e tij duhej të shqyrtohet në merita.

Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, theksoi se të gjitha gjykatat e rregullta, e kishin trajtuar çështjen e parashkrimit të padisë së parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se (i) Kontrata në mes palëve ishte lidhur më 30 shtator 2009, ndërsa parashtruesi i kërkesës e kishte parashtruar padinë më 2 shkurt 2016, jashtë afatit tre (3) vjeçar të përcaktuar përmes nenit 374 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore të vitit 1978, të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret; (ii) edhe po të merrej parasysh pretendimi i parashtruesit të kërkesës se më 24 dhjetor 2012, është bërë një pjesë e pagesës, dhe rrjedhimisht janë ndërprerë afatet e parashkrimit, padia është sërish e parashkruar, sepse prej 24 dhjetorit 2012, kur pretendohet të jetë bërë një pjesë e pagesës, deri më 2 shkurt 2016, kur është paraqitur padia, kanë kaluar më shumë se tri (3) vite; dhe në fund (iii) se deklarata për “pranimin e borxhit” e dorëzuar në Gjykatë të Apelit më 2 korrik 2018,  nuk ishte dorëzuar në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 180 të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe për më tepër, pas afatit për dorëzimin e ankesës.

Për pasojë, duke aplikuar edhe standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

N.T.Sh. “Edita-S.O.K”

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative