Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 49/2022], të 15 qershorit 2022

Nr. të lëndës KI127/22

Parashtruesit: N.T.SH. “M Com”

Shkarko:

KI127/22, Parashtrues: N.T.SH. “M Com”, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 49/2022], të 15 qershorit 2022

KI127/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 gushtit 2023, publikuar më 26 shtator 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, mosshterrje e mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës rezulton se Administrata Tatimore e Kosovës, në vitin 2019, përmes Raportit të Kontrollit të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës i ishte shmangur pagesës së tatimit. Parashtruesi i kërkesës kundër Raportit të lartpërmendur kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore. Kjo e fundit, padinë e parashtruesit të kërkesës e kishte hedhur poshtë si të parakohshme duke theksuar se nuk ka gjetur se ekziston akti administrativ kontestues të cilin parashtruesi i kërkesës e kundërshton, konkretisht mungon akti administrativ i Departamentit të Ankesave të ATK-së dhe nuk ka prova se paditësi i ka shterur të gjitha mjetet e brendshme juridike për të ngritur konflikt administrativ në gjykatë. Parashtruesi i kërkesës, në muajin nëntor të vitit 2021 kishte paraqitur ankesë në Divizionin e Ankesave të ATK-së. Kjo e fundit, ankesën e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pasafatshme. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e vendimit të lartpërmendur dhe pezullimin e të njëjtit duke kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që: “të pezullojë të gjitha veprimet për konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme që janë në emër të personit parashtruesit të kërkesës”. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të palejuar propozimin me arsyetimin se ankesa ishte paraqitur jashtë afatit të përcaktuar kohor. Aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në thelb pretendimet e parashtruesit të kërkesës para Gjykatës kishin të bënin me çështjen e konstatimit të Raportit të Kontrollit të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës të ATK-së, përmes të cilit ishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës i ishte  shmangur pagesës së tatimit.

Gjykata vuri në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë nuk i referohej apo nuk pretendonte në mënyrë specifike çështjen e konstatimit të gjykatave të rregullta që ndërlidhen me afatshmërinë e ankesave, përkatësisht padisë së tij.

Gjykata pasi shtjelloi standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës lidhur me shterimin e mjeteve juridike, konsideroi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore duke kërkuar anulimin dhe pezullimin e vendimit të Divizionit të Ankesave të 23 nëntorit 2021, të ATK-së , nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.

Parashtruesit:

N.T.SH. “M Com”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative