Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021

Nr. të lëndës KI230/21

Parashtruesit: Global Trade-af, sh.p.k.

Shkarko:

KI230/21, Parashtrues: Global Trade-af, sh.p.k., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021

KI230/21, Aktgjykim i 26 korrikut 2022, publikuar më 5 shtator 2022

Fjalët kyç: person juridik, Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, vendim i paarsyetuar

Kontesti kishte filluar pas procedurës së rivlerësimit nga Dogana e Kosovës të vlerës së mallit të deklaruar për zhdoganim nga parashtruesi i kërkesës, të cilin e kishte importuar nga kompania kineze “Kompania BAI LEE”. Vendimi për rivlerësim ishte kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në shkallë të dytë tek Dogana e Kosovës e cila kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë, duke konstatuar, ndër të tjerash, se vlera e mallit të deklaruar nuk rezultonte të jetë vlerë reale e paguar për mallin me qëllim importi. Këto vendime ishin kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në gjykatat e rregullta, dhe të cilat kishin vërtetuar konstatimet e Doganës së Kosovës. Përgjatë procedurave gjyqësore, seancë dëgjimore ishte mbajtur para Gjykatës Themelore, por jo edhe para Gjykatës së Apelit. Andaj, ndër tjerash, kontestuese ishte detyrimi i Gjykatës së Apelit për mbajtjen e seancës dëgjimore, çështje të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur  përmes kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit,  duke theksuar, mes tjerash, se Gjykata e Apelit, ishte e detyruar që të mbajë seancë dëgjimore, sepse paragrafi 1 të nenit 81.G (Seanca e shqyrtimit) të Ligjit 04/L-102 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222, saktësisht përcakton se divizioni Fiskal i Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykata e Apelit duhet të mbajnë seanca publike ku palët dëgjohen dhe provat shqyrtohen. Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke mos adresuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos-mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjykata e Apelit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Supreme, pasi kjo e fundit, nuk ka trajtuar përkatësisht nuk ka arsyetuar pretendimin e tij thelbësor dhe përcaktues lidhur me mos-mbajtjen e seancës dëgjimore publike nga Gjykata e Apelit.

Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjellojë dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret parimet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret, por se megjithatë është detyrim i të gjitha gjykatave të adresojnë dhe arsyetojnë pretendimet thelbësore dhe vendimtare të palëve. Në rastin konkret Gjykata konstatoi se, Gjykata Supreme nuk i kishte dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës në lidhje me pretendimin lidhur me çështjen e mos-mbajtjes së seancës publike në Gjykatën e Apelit, siç përcaktohet me nenin 81.G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Gjykata konsideroi se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është i rëndësishëm, thelbësor dhe vendimtar në drejtim të ushtrimit të së drejtave të tij procedurale. Gjykata gjithashtu theksoi që konstatimi i saj ndërlidhet me të drejtat procedurale të parashtruesit të kërkesës dhe gjetjet që i përmban Aktgjykimi nuk paragjykojnë në as një mënyrë meritat e rastit të kthyer në rishqyrtim.

Për rrjedhojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [ARJ-UZVP-nr.45/2021] i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara në nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Parashtruesit:

Global Trade-af, sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative