Prishtinë, më 6 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2521/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI95/23
Parashtrues
Sylë Vitija
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ nr. 111/2022 të 23 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Sylë Vitija nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [ARJ nr. 111/2022] e 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 466/2021] e 30 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [A. nr. 369/2019] e 10 marsit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 30 dhjetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese u referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, në përputhje me rregullin 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 2 maj 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e cila në Gjykatë u regjistrua më 4 maj 2023.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. Gjr. KI95] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 31 korrik 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme. Të njëjtën ditë Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrim të rastit dhe kërkoi nga ajo që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 31 korrik 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pa/pranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesit të kërkesës i është njohur e drejta për tu liruar nga taksat doganore duke qenë anëtar i HANDIKOS-it si anëtar me aftësi të kufizuara dhe si Invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës..
Parashtruesi i kërkesës kishte shfrytëzuar këtë të drejtë me datën 30 qershor 2009 për zhdoganimin e veturës së markës Volsvagen pasat, si anëtar i HANDIKOS-it, dhe me datën 25 maj 2010 para doganës në Sllatinë, ka shfrytëzuar përsëri të drejtën për lirim nga taksa për zhdoganimin e automjetit së markës BMW si invalid i UÇK-së.
Më 04 shkurt 2012, Dogana e Kosovës - Sektori i Auditimit të Jashtëm përmes Aktvendimit [04.3.2/105] obligon parashtruesin e kërkesës të paguajë obligimin (borxhin) doganor prej 14, 733. 28 euro për mallin lëndor “automjet i ri për udhëtar” me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës, kjo e drejtë i takon vetëm një herë brenda pesë viteve sipas Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës, ndërsa parashtruesi në rastin konkret e ka shfrytëzuar këtë të drejtë dy herë, respektivisht më 30 qershor 2009 dhe më 25 maj 2010, ku rezulton në një periudhë brenda pesë viteve.
Më 1 mars 2012, parashtruesi i kërkesës iu drejtua me ankesë Sektorit për Rishqyrtimin e Vendimeve – Drejtorit Gjeneral të Doganës së Kosovës, me kërkesë për rishqyrtimin e aktvendimit [04.3.2/105] të 4 shkurtit 2012, të Sektorit të Auditimit të Jashtëm.
Më 29 mars 2012, Dogana e Kosovës, përmes Aktvendimit [05.2.1/128] e refuzoi kërkesën e parashtruesit duke konstatuar se ky i fundit ka vepruar në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 78 të Kodit Doganor dhe Akcizave, sepse parashtruesi ka shfrytëzuar dy herë të drejten për lirim nga taksat doganore pa kaluar periudha 5 vjeçare.
Më 25 prill 2012, parashtruesi i kërkesës, kundër Aktvendimit të lartpërmendur parashtroi ankesë në Bordin e Pavarur për Rishqyrtime, në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Më 25 shtator 2014, Bordi i Pavarur për Rishqyrtime, përmes Aktvendimit [nr.A.nr. 120/2012 – DK] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, anuloi Aktvendimin e Doganës së Kosovës [05.2.1/128] të 29 marsit 2012, dhe ktheu lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje, me arsyetimin se i njëjti, nuk përmban shpjegimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, si dhe nuk është deklaruar mjaftueshëm në pretendimet e parashtruesit të kërkesës.
Më 4 mars 2015, Dogana e Kosovës, duke vepruar sipas vendimit [nr. A. nr. 120/2012 – DK] të datës 25 shtator 2014 të Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, përmes Aktvendimit [05.2.1/128-2012] e refuzoi përsëri si të pabazuar kërkesën e parashtruesit.
Më 8 prill 2015, parashtruesi parashtroi padi pranë Gjykatës Themelore kundër Aktvendimit [05.2.1/128-2012] të Doganës së Kosovës të 4 marsit 2015, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni që nuk mund të shfrytëzonte dy herë këtë të drejtë.
Më 7 nëntor 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimin [A. nr. 646/15] e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e anuloi Aktvendimin e lartcekur, ashtu që ktheu çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje te e paditura. Gjykata vendosi për aprovimin e padisë pasi vlerësoi se nuk janë prezantuar të gjitha provat dhe faktet që e mbështesin vendimin kontestues, prandaj “Gjykata e ka të pamundur të vendosë në mënyrë meritore në këtë konflikt administrativ për arsye se ekzistojnë të meta që e pengojnë vlerësimin e ligjshmërisë se vendimit të kontestuar”.
Më 3 janar 2019, Dogana e Kosovës, përmes Aktvendimit [05.2.10/128/2012], sërish vendosi për refuzimin e kërkesës, duke konstatuar se parashtruesi ka vepruar në kundërshtim me nenin 78 të Aneksit A të kreut XVIII të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ku e drejta për lirim nga taksat doganore mund të shfrytëzohet një herë në pesë vite, ndërsa parashtruesi këtë të drejtë e shfrytëzoi dy herë brenda një viti.
Më 7 shkurt 2019, parashtruesi i kërkesës, parashtroi përsëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër aktvendimit të lartpërmendur të Doganës së Kosovës, duke pretenduar ndër të tjera se “ai ka vepruar në mirëbesim dhe ka respektuar të gjitha dispozitat ligjore në fuqi, kur ka aplikuar për lirim nga taksa doganore”.
Më 10 mars 2021, Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative-Divizioni Fiskal, përmes Aktgjykimit [A. nr. 369/2019], e refuzoi kërkesëpadinë e paditësit, respektivisht parashtruesit të kërkesës, si të pabazuar dhe vendosi se mbetet në fuqi Aktvendimi [nr.05.2.1/128/2012] i 3 janarit 2019 i Doganës së Kosovës. Gjykata Themelore në arsyetim të Aktgjykimit të saj shtoi se “Nga arsyetimi i vendimit kontestues dhe vendimi 04.3.2/105 dt. 04 shkurt 2012 i lëshuar nga Sektori i Auditimit të Jashtëm, gjykata konstaton se e paditura ka bërë ndryshimin e të dhënave në DUD-in IM4 1850 dt. 25 maj 2010, për shkak se paditësi ka shfrytëzuar beneficionin dy herë me datën 30 qershor 2009 dhe 25 maj 2010 respektivisht me DUD-in 11337/30.06.2009 DD Aeroport si invalid i hendikepuar, dhe me DUD-in 1850/25.05.2010 si invalid i luftës”. Gjykata Themelore konstatoi se Dogana e Kosovës ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e parashtruesit për lirim nga detyrimet doganore sepse bazuar në nenin 78 të Aneksit A të kreut XVIII të Kodit Doganor dhe të Akcizave, lejohet lirimi nga pagesa e detyrimeve doganore importuese, vetëm një herë brenda pesë viteve, pavarësisht faktit se paditësi posedon edhe një status tjetër në vitin 2010, statusin e invalidit të luftës. Konsideron se nuk ka bazë ligjore që ia lejon paditësit lirimin nga detyrimet doganore, për dy vetura të importuara, brenda 5 viteve.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, Departamenti për Çështje Administrative kundër vendimit të shkallës së parë, duke pretenduar shkelje esenciale të Ligjit për Konfliktet Administrative, shkelje të dispozitave të ligjit material dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 30 gusht 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [AA. nr. 466/2021], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit, ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm. Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, aktgjykimit të ankimuar dhe pretendimeve ankimore, vlerësoi se aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë, i kuptueshëm, dispozitat ligjore janë interpretuar në mënyrë të drejtë dhe se në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare, të cilat i pranoi edhe Gjykata e Apelit.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme në Prishtinë parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, me të cilën e konteston ligjshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe shkallës së parë, duke pretenduar shkelje esenciale të Ligjit për Konfliktet Administrative, shkelje të dispozitave të ligjit material dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 23 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ nr. 111/2022], e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Gjykata Supreme pas vlerësimit të gjendjes faktike, vlerësimit të pretendimeve të kërkesës dhe aktgjykimeve të gjykatave të shkallëve më të ulëta, vlerëson se aktgjykimet e kontestuara nuk janë të përfshira me shkelje të dispozitave të Ligjit për Konflikt Administrativ apo me zbatim të gabuar të drejtës materiale. Të njëjtit përmbajnë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha faktet vendimtare të vlefshme për gjykim të drejtë të çështjes në fjalë. Më tej, Gjykata Supreme në arsyetimin e Aktgjykimit shtoi se pretendimet lidhur me gjendjen faktike të paraqitura në kërkesë nuk janë vlerësuar, pasi sipas paragrafit 2 të nenit 24 të Ligjit për Konfliktet Administrative, kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, mund të parashtrohet vetëm për shkak të shkeljes të së drejtës materiale ose shkeljeve të dispozitave të procedurës që do të mund të kishin ndikim në zgjidhjen e çështjes, por nuk parashihet se mund të paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës fillimisht pretendon se vendimi i kontestuar është në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave në Republikën e Kosovës. Më tej, ai thekson se ka vepruar në mirëbesim dhe “i ka respektuar të gjitha dispozitat e parashikuara në legjislacionin në fuqi, nuk ka qenë asnjëherë kontestuese ngase një fakt të tillë e provojnë edhe provat e dorëzuara me padi”. Sipas parashtruesit, Dogana e Kosovës është dashur që me kohë ta njoftoj; parashtruesin se nuk i lejohet një lirim i tillë nga taksa doganore “e jo si pasojë e gabimeve doganore (që nuk është kontestuese fare) tani të gjobitet pas më shumë se pesë vitesh”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se procedura për shkelje administrative doganore nuk mundet në asnjë rast të “inicohet ose të zhvillohet më tutje” pas skadimit të afatit 5 vjeçar, dhe sipas tij aktvendimi i Doganës së Kosovë është nxjerrë pas tetë vitesh e tetë muaj prej shkeljes së pretenduar. Sipas parashtruesit vendimi i Doganës së Republikës së Kosovës ka rezultuar në shkelje të paragrafit 2 të nenit 285 të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Në lidhje me vendimet e gjykatave të rregullta parashtruesi pretendon se të njëjta nuk kanë vepruar konform dispozitave ligjore dhe se “atij i është pamundësuar që të merr një përgjigje të drejtë nga gjykatat sa i përket meritave të rastit të tij. Specifikisht parashtruesi thekson “se mos zbatimi i drejt i te drejtes materiale ndikon edhe ne mos marrjen e nje vendimi meritor nga Gjykata dhe refuzimi padise se paditesit ne kundershtim me dispozitat ligjore te lartcekura konsiston ne ate se pala paditese nuk eshte trajtuar si duhet dhe ne menyre te barabarte ne kete procedure ne raport me rastet e ngjashme si te paditesit, ndaj dhe i eshte shkelur e drejta ne gjykim te drejte e cila garantohet me nenin 31 te Kushtetutes se Republikes se Kosoves. Duke qene se, parashtruesit te kerkeses i eshte refuzuar kerkesepadia pa u shqyrtuar meritorisht nenkupton se ne kete menyre i eshte shkelur e drejta e garantuar me neni 6.1. te Konventes Evropiane per te Drejtat e Njeriut dhe Lirite”.
Gjithashtu parashtruesi thekson se “Parashtruesi i kerkeses nuk ka mundur te ushtroje te drejtat e tij per gjykim te drejte. Me kete veprim juridik parashtruesit se kerkeses i eshte shkelur edhe e drejta e parapare me nenit 13 te KEDNJ”.
Parashtruesi i kërkesës duke u thirrur në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së thekson se “mos zbatimi i drejtë i të drejtës materiale ndikon edhe në mos marrjen e një vendimi meritor”. Sipas parashtruesit “… Gjykatat e rregullta kane vepruar në shkelje të nenit 102 të Kushtetutës, duke mos vepruar në bazë të ligjit të aplikueshëm siç kërkohet me Kushtetutë”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit si dhe Gjykata Supreme në raste të ngjashme kanë vepruar ndryshe “dhe me këtë kanë krijuar pasiguri juridike “. Specifikisht parashtruesi thekson që “Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit kane vendosur per raste te ngjashme si te paditesit duke i aprovuar ato, me c rast Gjykatat e rregullta kane krijuar qendrime te ndryshme per raste te ngjashme si te ' paraqitesit te kesaj kerkese dhe me kete edhe kane krijuar pasiguri juridike, andaj edhe ne kuptim te kesaj paditesin e ka vene ne pozite te pabarabarta para ligjit ne kuptim te nenit 24 te Kushtetutes se Kosoves”.
Parashtruesi në ndërlidhje me pretendimin si më lartë shton që “me vendimin e Gjykates per te Refuzuar kerkesepadinc e paditesit si te pathemelte pa marre per baze fare dispozitat e lartcekura dhe parashkrimin e te drejtes eshte marre ne teresi me zbatim te gabuar te dispozitave ligjore si ne arsyetimin e lartcekur paraqitesit te kesaj kerkese i eshte shkele edhe e Drejta per Mjete Juridike ne kuptim te Neni 32 lidhur me Neni 54 te Kushtetutes se Kosoves”.
Në fund parashtruesi kërkon nga Gjykata që të aprovohet kërkesa e tij dhe të anulohet vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën Supreme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 32
[E Drejta Për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
Neni 13
(E Drejta për Zgjidhje Efektive)
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
KODI Nr. 03/L-109 DOGANOR DHE I AKCIZAVE NË KOSOVË
Kontrollimi i deklaratave pas zhdoganimit
Neni 82
1. Dogana sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të deklaruesit e rishqyrton deklaratën pas lirimit të mallit.
2. Dogana, pasi ta ketë lejuar lirimin e mallrave dhe më qëllim që të sigurohet për të dhënat e vërteta të deklaruara, në deklaratën doganore, mund të kontrollojë dokumentet tregtare dhe të dhënat që kanë të bëjnë me importin apo eksportin, si dhe veprimet pasuese (të mëvonshme) tregtare që kanë të bëjnë me këto mallra. Ky kontroll mund të kryhet në ambientet e deklaruesit ose të çdo personi, drejtpërdrejt ose tërthorazi të përfshirë në veprimet e mësipërme për arsye të veprimtarisë së tij ose të çdo personi tjetër në posedimin e të cilit janë dokumentet e lartshënuara për qëllime tregtie. Dogana, po ashtu mund të kontrollojë edhe mallrat kur paraqitja e tyre është ende e mundur.
3. Pa rënë ndesh me nenin 219.3 kur nga rishqyrtimi i deklaratës ose kontrollit pas zhdoganimit gjen se dispozitat që rregullojnë procedurën doganore përkatëse janë zbatuar në bazën e të dhënave jo të sakta apo jo të plota, Dogana, në përputhje me dispozitat në fuqi, do të ndërmerr masat e duhura për të rregulluar situatën e krijuar, duke i marrë parasysh edhe informatat e reja që janë në dispozicion.
Neni 285
1. Në procedurë për shkelje administrative doganore, nuk mund të iniciohet pas kalimit të afatit prej tre vitesh nga dita e kryerjes së shkeljes administrative.
2. Parashkrimi ndërpritet me çdo veprim të organit të autorizuar të ndërmarrë në drejtim të ndjekjes së kryesit të kundërvajtjes. Pas çdo ndërprerje afati i parashkrimit fillon serish të rrjedhë, mirëpo procedura për shkelje administrative doganore nuk mundet, në asnjë rast të iniciohet ose të zhvillohet më tutje, pas skadimit të afatit prej 5 vitesh, nga dita e kryerjes se shkeljes administrative.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet neneve 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ nr. 111/2022] e 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullit (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021). .
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se në vitin 2009, parashtruesi i kërkesës, si anëtar i HANDIKOS-it, e kishte shfrytëzuar të drejtën për lirim nga taksa për zhdoganimin e automjetit, dhe më pas në vitin 2010 si invalid i UÇK-së ka shfrytëzuar përsëri të drejtën për lirim nga taksa për zhdoganimin e automjetit tjetër. Më 4 shkurt 2012, Dogana e Kosovës - Sektori i Auditimit të Jashtëm përmes Aktvendimit [04.3.2/105] e obligon parashtruesin e kërkesës të paguajë obligimin (borxhin) doganor prej 14,733. 28 euro për mallin lëndor “automjet i ri për udhëtar” me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës, kjo e drejtë i takon vetëm një herë brenda pesë viteve, sipas Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës, ndërsa parashtruesi në rastin konkret e ka shfrytëzuar këtë të drejtë dy herë. Pas disa ankesave në Doganën e Republikës së Kosovës, ankesat e tij ishin refuzuar. Më pas parashtruesi i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi, dhe kjo e fundit kishte miratuar padinë e parashtruesit me arsyetimin se nuk janë prezantuar të gjitha provat dhe faktet që e mbështesin vendimin kontestues. Dogana e Republikës së Kosovës duke vendosur në rishqyrtim refuzoi sërish ankesën e parashtruesit pasi konstaton se parashtruesi ka vepruar në kundërshtim me nenin 78 të Aneksit A të kreut XVIII të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ku e drejta për lirim nga taksat doganore mund të shfrytëzohet një herë në pesë vite, ndërsa parashtruesi këtë të drejtë e shfrytëzoi dy herë brenda një viti. Parashtruesi sërish parashtroi padi në Gjykatën Themelore, kundër vendimit të lartpërmendur të Doganës së Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore e refuzoi si të pabazuar padinë duke e vërtetuar vendimin e kontestuar. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.
Së pari, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës shprehimisht para Gjykatës konteston Aktgjykimin [ARJ nr. 111/2022] e 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 466/2021] e 30 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [A. nr. 369/2019] e 10 marsit 2022 të Gjykatës Themelore.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 3, 24, 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 dhe 13 të KEDNJ-së.
Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me shkeljen e nenit 31 në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe që ka të bëj me (i) mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, nga ana e Gjykatës Supreme; si dhe (ii) divergjencën e praktikës gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.
Gjykata në vijim këto dy pretendime do t’i trajtojë ndaras, duke filluar me pretendimin për mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material nga ana e Gjykatës Supreme për të vazhduar me pretendimin për divergjencën e praktikës gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.
përkitazi me pretendimet për mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kontekst të pretendimit të tij për interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit thekson se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar, ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale, duke theksuar se procedura për shkelje administrative doganore nuk mundet në asnjë rast të “inicohet ose të zhvillohet më tutje” pas skadimit të afatit 5 vjeçar, dhe sipas tij aktvendimi i Doganës së Kosovës është nxjerrë pas tetë viteve e tetë muajve prej shkeljes së pretenduar. Sipas parashtruesit, vendimi i nxjerrë nga Dogana e Republikës së Kosovës ka rezultuar në shkelje të paragrafit 2 të nenit 285 të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Nga pretendimet e paraqitura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme, por edhe nga dy gjykatat e instancës më të ulët respektivisht nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Prandaj, bazuar në shtjellimet e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të vlerësojë nëse pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit hyjnë në sferën e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih rastet e Gjykatës: KI87/20, parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 57; KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55 dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56)).
Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Kështu, Gjykata vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, gjë që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin Ballıktaş Bingöllü kundër Turqisë, GJEDNJ, nr. 76730/12, i 22 qershorit 2021, paragrafi 75; García Ruiz kundër Spanjës, GJEDNJ, nr. 30544/96, i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 dhjetorit 2011; si dhe rastet e cekura më lart KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 37; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57).
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e GJEDNJ-së Pronina kundër Rusisë, kërkesa nr. 65167/01, Vendimi për pranueshmëri, i 30 qershorit 2005; dhe rastet e Gjykatës të cituara më lart KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, paragrafi 38; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin (shih rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc., Aktgjykim, paragrafi 83; Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, paragrafët 70-74 dhe 84; Păduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, paragrafët 79, 97 dhe 98; Beyeler kundër Italisë [GC], kërkesa nr. 33202/96, paragrafi 108; Koshoglu kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih gjithashtu rastin e Gjykatës cituar më lart KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, paragrafi 57; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Aferdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
Në rastin konkret, Gjykata ka parasysh se Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke miratuar tërësisht Aktgjykimin [AA.nr.466/2021] të 30 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit, ndër të tjera duke konstatuar se në mënyrë të drejtë ishte aplikuar e drejta materiale.
Në ndërlidhje me këtë, Gjykata rikujton pjesë të arsyetimin e vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, që ndërlidhen me pretendimet e parashtruesit, duke theksuar si në vijim:
“nuk janë të çëndrueshme pretendimet në kërkesë të paraqitura edhe me ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, se në këtë çështje është arritë parashkrimi abspolut për inicimin e shkeljes doganore dhe këtë fakt e bazon në nenin 258 par 2 të KDA-së, sepse gjykatat e instancave më të ulëta këto pretendime i kanë shqyrtuar në tërësi dhe me të drejtë i refuzojnë të pabazuara sepse në këtë cështje nuk ishte arritur parashkrimi për faktin se sektori i auditimin të jashtëmbazuar në raportin e sektorit të riskut, Referencë SHV 25/2011 të dt 13.12.2011, ka nxjerrë aktvendimin e saj 04.3.2 nr.105 me datë 04.02.2012 me të cilin paditësit i është komunikuar borxhi doganor brenda afat prej 3 vite, duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ashtu siç parashihet në nenin 82 të KDA pasi që DUD-i kontestus IM%1850, është i datës 25.05.2010, prandaj në këtë çështje nuk është arritë parashkrimi ashtu siç parashihet me nenin 285 të KDA.
Më tej Gjykata rikujton edhe Aktgjykimin [A.A.nr.466/2021] e 30 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit, e cila në përgjigje të pretendimeve të parashtruesit se kjo çështje ishte parashkruar, theksoi se “Lidhur me pretendimin e paditësit se bazuar në nenin 258 par 2 parashkrimi ndërpritet me çdo veprim të organit të autorizuar të ndërmarr në drejtim të kryesit të kundërvajtjes pas çdo ndërprerje afati i parashkrimit fillon sërish të rrjedhë, mirëpo procedura për shkelje administrative doganore nuk mundet, në asnjë rast të inicohet ose të zhvillohet më tutje pas skadimit të afatit prej 5 vjetësh nga dita e kryerjes së shkeljes administrative në të cilën parashkrim jemi thirru edhe në padi por edhe në deklarimin në seancë e dt 10.03.2021 duke marrë për bazë faktin se paditësi automjetin BMWW X5 te Dogana e Kosovës e ka zhdoganuar më dt 25.05.2010 ndërsa aktvendimi i atakuar është nxjerrë nga Dogana e Kosovës më dt 03.01.2019 shihet se aktvendimi i atakuar është nxjerrë plot 8 vit e 8 muaj prej zhdoganimit të mallit sipas DUD IM4 nr.1850 dt 25.05.2010 dhe atë pas kalimit prej 5 vitesh për parashkrim në kuptim të nenit 258 par 2 “kolegji i apelit të njëjtin pretendim e refuzon si të pabazuar për faktin se në rastin e paditësit nuk kemi afat të parashkrimit, për faktin se e paditura paditësit me aktvendimin 04.3.2 nr.105 të dt 04.02.2012 i ka komunikuar detyrimin doganor dhe se deklarata unike doganore kontestuese IM% ka datën 25.05.2010 dhe atë brenda tri viteve ashtu siç përcaktohet me nenin 285 paragrafi 2 të Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe në këtë kuptim një pretendim i tillë është i paqëndrueshëm edhe i pabazë.
Në këtë drejtim, edhe Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [A. nr. 369/2019] të 10 marsit 2021, me të cilin u refuzua padia e parashtruesit të kërkesës theksoi se pretendimet e parashtruesit për parashkrim duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 285 të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk qëndrojnë, për faktin se sektori i auditimin të jashtëm bazuar në raportin e sektorit të riskut, ka nxjerrë vendim me datë 4 shkurt 2012 me të cilin parashtruesit i është komunikuar borxhi doganor brenda afatit prej 3 vite, duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ashtu siç parashihet në nenin 82 të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Nga si më sipër Gjykata rikujton se përmbajtjen e paragrafi 2 të nenit 285 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, i cili parasheh si në vijim:
Neni 285
2. Parashkrimi ndërpritet me çdo veprim të organit të autorizuar të ndërmarrë në drejtim të ndjekjes së kryesit të kundërvajtjes. Pas çdo ndërprerje afati i parashkrimit fillon serish të rrjedhë, mirëpo procedura për shkelje administrative doganore nuk mundet, në asnjë rast të iniciohet ose të zhvillohet më tutje, pas skadimit të afatit prej 5 vitesh, nga dita e kryerjes se shkeljes administrative.
Nga vet përmbajtja e nenit të lartcekur të Kodit Doganor dhe të Akcizave, respektivisht paragrafit 2 të nenit 258 dhe nga arsyetimet e Gjykatave të rregullta, Gjykata vëren se dispozitat e lartcekura janë interpretuar drejtë në kuptim të refuzimit të pretendimit të parashtruesit se në rastin e tij është arritur parashkrimi.
Në këtë drejtim, dhe si më lartë, Gjykata ripërsërit se Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime janë arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës të cituar më lart, KI75/17, parashtrues X, paragrafi 59).
Megjithatë, bazuar në shtjellimet e mësipërme, si dhe interpretimin dhe arsyetimin e dhënë, në rastin konkret, nuk është dëshmuar që ka arbitraritet në interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme me rastin e refuzimit si të pabazuar të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
Prandaj, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i “ligjshmërisë” nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë jo i drejtë.
Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt”, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
përkitazi me pretendimin e parashtruesit për divergjencën e praktikës gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, pretendon se Gjykata e Apelit si dhe Gjykata Supreme në raste të ngjashme kanë vepruar ndryshe “dhe me këtë kanë krijuar pasiguri juridike”.
Gjykata vëren se në thelb parashtruesi i kërkesës ngrit çështjen e parimit të sigurisë juridike në kontekst të mungesës së konsistencës, përkatësisht divergjencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatën Supreme, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe barazisë para ligjit në kuptim të neneve 3 dhe 24 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata thekson se lidhur me këto pretendime, parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar vendime gjyqësore që dëshmojnë vendosjen ndryshe të gjykatave të rregullta në raste të ngjashme, përkatësisht nuk ka arritur të dëshmojë se ekziston divergjenca në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme.
Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: se (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20, parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021, paragrafi 42).
Bazuar në si më sipër, Gjykata konsideron se pretendimi i parashtruesit të kërkesës në lidhje me ekzistimin e divergjencës në praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit, si dhe për shkelje të neneve 3, 24 dhe 31 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 16 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË se ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Sylë Vitija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative