Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.74/2021, të 15 korrikut 2021

Nr. të lëndës KI 220/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI220/21, Parashtrues: Besim Smajli, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.74/2021, të 15 korrikut 2021

KI220/21, Aktvendim i 31 marsit 2022, publikuar më 27 prill 2022

Fjalët kyç: suspendim me pagesë nga puna, procedurë disiplinore, procedurë penale,  e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës kishte nxjerrë Vendimin për suspendimin me pagesë të parashtruesit të kërkesës, pjesëtar i Policisë së Kosovës, për faktin se ishte subjekt i hetimeve për shkelje të Ligjit për Policinë. Lidhur me këtë, kundër parashtruesit të kërkesës, për të njëjtat shkelje, u iniciua procedurë penale si dhe procedurë disiplinore. Në këtë drejtim, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale “Shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”. Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli të pafajshëm parashtruesin e kërkesës për veprat penale të lartcekura, aktgjykim i cili u vërtetua më pas në shkallë të dytë nga Gjykata e Apelit. Ndërkaq, në procedurë disiplinore, Komisioni i Brendshëm Disiplinor i Policisë së Kosovës e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkelje disiplinore dhe i shqiptoi masën disiplinore “Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj nga paga bruto” si dhe masën  plotësuese “Transfer Administrativ”. Ky vendim më pas u vërtetua edhe në shkallë të dytë nga Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime.

Më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, duke kërkuar kompensimin e pagave të ndaluara për periudhën gjatë të cilës kishte qenë i suspenduar. Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u refuzua përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore si e pabazuar, me arsyetimin se ishte paraqitur pas kalimit të afatit trevjeçar. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë për shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale pranë Gjykatës së Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe e vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatim të gabuar të së drejtës materiale si dhe tejkalim të kërkesëpadisë. Lidhur me këtë, më 15 korrik 2021, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se aktgjykimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë nuk ishin përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore apo me zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të  garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke u fokusuar në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, për faktin se sipas tij Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh faktin se ai (i) ishte shpallur pafajshëm në procedurë penale; (ii) kishte qenë i përfshirë në proces penal dhe lënda nuk ka mundur të parashkruhej; si dhe (iii) gjykata gabimisht kishte aplikuar apo nuk ka aplikuar fare dispozitat ligjore të Kodit Penal, Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Ligjit të Punës, Kushtetutës së Kosovës si dhe Konventave Evropiane lidhur me të drejtën e rehabilitimit të personave të akuzuar padrejtësisht dhe të liruar nga gjykata me aktgjykim të plotfuqishëm. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendonte gjithashtu shkelje të neneve 3, 24, 29, 32, 54 dhe 55 të Kushtetutës.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata theksoi se në revizionin e parashtruar pranë Gjykatës Supreme, ai kishte kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për faktin se konsideronte se ishte i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të së drejtës materiale dhe se Gjykata Supreme përmes aktgjykimit kishte vepruar drejtë kur ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme gjatë procedurës i është përmbajtur parimeve të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç parashikohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe se nuk ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore apo zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Tutje, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme arsyetoi në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të cilave dispozita materiale ka nxjerrë aktgjykimin përkatës, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, si dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale. Në anën tjetër, pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 24, 29, 32, 54 dhe 55 të Kushtetutës, Gjykata e cilësoi si të pabazuar, për faktin se i takonte kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shtjelluar se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre të drejtave.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Besim Smajli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile