Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.73/2019, të 19 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 125/19

Parashtruesit: Ismajl Bajgora

Shkarko:

KI125/19, Parashtrues: Ismajl Bajgora, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.73/2019, të 19 marsit 2019

KI125/19, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 11 mars 2020, publikuar më 17 prill 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile (kompensim), e drejta për gjykim të drejtë, barazia para ligjit, e drejta në punë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me një kontest pune dhe i cili filloi me ndërprerjen e  marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës nga kompania “Siguria”. Vendimi kësaj të fundit, ishte shpallur i pavlefshëm përmes Aktgjykimeve përkatëse të Gjykatës Komunale dhe asaj të Qarkut në vitin 2006. Procedura përmbarimore e cila përfundoi në vitin 2007, ia kishte njohur parashtruesit të kërkesës të drejtën e kthimit në punë dhe i kishte akorduar të njëjtit të drejtën për realizimin e shumës së përgjithshme prej 19.799,51 euro, për periudhën prej 17 qershorit 2006 e deri më 31 janar 2007. Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesit të kërkesës nuk iu kishte mundësuar kthimi në vendin e punës nga kompania “Siguria”, por shuma e lartcekur e kompensimit ishte realizuar. Çështja e kompensimit u bë sërish objekt i procedurave gjyqësore, duke u vendosur fillimisht  përmes Gjykatës Komunale në vitin 2009, dhe duke u kthyer në rivendosje nga Gjykata e Qarkut në vitin 2011. Në gjykimin e ri, Gjykata Themelore përcaktoi edhe vlerën shtesë të kompensimit prej 17.834,22 euro për periudhën prej 16 qershorit 2003 e deri më 31 janar 2014, dhe gjithashtu kontributet pensionale, të tatimit në pagë dhe kamatëvonesën përkatëse, vlera kompensimi këto të cilat më pas u miratuan edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës. Në esencë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht nenin 80 të Ligjit nr.03/L-212 të Punës, i cili sipas tij, i detyron gjykatat për të kompensuar paditësin, përkatësisht parashtruesin e kërkesës në “jo më pak se dyfishi i vlerës së çdo dëmshpërblimi që i takon punonjësit në kohën e shkarkimit”, e që sipas tij, në rrethanat e rastit konkret, e arrin vlerën prej 364,932,00 euro, duke përfshirë llogaritjen e kamatave përkatëse.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës, Gjykata, fillimisht sqaroi se (i) pretendimet që ndërlidhen me interpretimin e ligjit, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, bien në kategorinë e çështjeve të ligjshmërisë dhe si të tilla, në parim, nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës; dhe për më tepër që (ii) në rrethanat e rastit konkret, gjykatat e rregullta, nuk kanë “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata këto pretendime i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Ndërsa, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljet e neneve 21, 22, 23, 24 dhe 49 të Kushtetutës, Gjykata ritheksoi se pretendimet apo ankesat e paarsyetuara dhe të pambështetura me argumente e prova, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjithashtu shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, bazuar në paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi të shpallë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të papranueshme, bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Ismajl Bajgora

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Tjetër